Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër hap në procesin e integrimit europian. Në Bruksel zhvillohet Konferenca e IX Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, ku do të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në konferencë për mbylljen e kapitujve 25, 26 dhe 30, që lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet me jashtë. Në këto fusha, Shqipëria konsiderohet e harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian.Sipas axhendës, Konferenca e IX Ndërqeveritare nis në orën 19:00. Pas përfundimit të saj do të formalizohet mbyllja e kapitujve, ndërsa në orën 20:00 është parashikuar një konferencë për shtyp mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mbyllja e këtyre tre kapitujve vjen pas përfundimit të fazës së piketave të ndërmjetme, të njohura si IBAR, një nga etapat më të rëndësishme të negociatave me BE-në.Pas këtij hapi, Shqipëria do të vijojë punën për plotësimin e kushteve që lidhen me 30 kapitujt e mbetur, me synimin që procesi teknik i negociatave të përfundojë brenda vitit 2027.
Pas përmbylljes së këtij procesi, vendimi për anëtarësimin do të kalojë në fazën politike dhe do të kërkojë miratimin e të gjitha parlamenteve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
