Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues ndërkombëtarë dhe partnerë të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka treguar se së bashku me kryeministrin Albin Kurti është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlic Radman.
Ai ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kroacisë, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe perspektivës euroatlantike.
Sipas tij, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Holandës, Tom Berendsen, është diskutuar edhe aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Postim i plotë:
Javën e Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York e nisa me një sërë takimesh me partnerë të Kosovës dhe përfaqësues ndërkombëtarë.
Së bashku me Kryeministrin Kurti, zhvilluam një takim me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grlić Radman. Kroacia është një prej partnerëve më të afërt të Kosovës në rajon, me të cilën ndajmë interesa të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë. Ky partneritet i konsoliduar ndër vite krijon mundësi të reja për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona.
Takova Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, të cilit i ngrita çështjen e aktgjykimit të padrejtë të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. I shpreha qëndrimin tonë se ky aktgjykim shtrembëron të vërtetën historike, përbën një padrejtësi serioze dhe duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit.
Krahas këtyre diskutimeve, pata kënaqësinë të takoj edhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, L.T. Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Emirateve janë të shkëlqyeshme; synimi ynë është që kësaj afërsie t’i japim edhe më shumë përmbajtje ekonomike. Biseduam për rritjen e investimeve dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në vitet në vijim.
Gjithashtu, takova edhe Ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar, ndërsa pata mundësinë të shkëmbej mendime edhe me Kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva, dhe Ministrin e Jashtëm, Olivier Nduhungirehe. Biseduam për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre vendeve.
Nga New Yorku, vazhdojmë angazhimin për forcimin e partneriteteve të Kosovës dhe avancimin e interesave të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
