Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka thënë se Kosova dhe Gjermania janë të përkushtuara për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Pacolli ka bërë të ditur se është takuar me Bettina Hagedorn, Sekretare Shtetërore Parlamentare në Ministrinë Federale të Gjermanisë për Mjedisin.
“Diskutuam për fushat e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë në mbrojtjen e mjedisit. E informova për punën konkrete që po bëjmë për mbrojtjen e ujërave dhe zonave natyrore, luftimin e deponive ilegale dhe përballjen me sfidat klimatike”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se në takim është rikonfirmuar përkushtimi për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
“Rikonfirmuam përkushtimin për ta thelluar bashkëpunimin në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në dekarbonizim, ekonomi qarkore dhe mbrojtjen e biodiversitetit”, ka deklaruar ajo.
Pacolli ka theksuar se Gjermania është partner i rëndësishëm për Kosovën në këto fusha.
“Gjermania është partner shumë i rëndësishëm për Kosovën në avancimin e këtyre prioriteteve, ku edhe gjatë këtij takimi na e rikonfirmuan mbështetjen e tyre në objektivat tona”, ka thënë Pacolli.
