Lajme

Kosova drejt zgjedhjeve të reja – opinionisti ‘godet’ opozitën dhe zbërthen skenarët e saj politikë

Në ditën kur u bënë katër muaj nga zgjedhjet e fundit parlamentare, u konfirmua se Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje.

Ky proces u bë i pashmangshëm më 28 prill, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur deputetët dështuan të zgjedhin presidentin, duke aktivizuar automatikisht afatin kushtetues që e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditësh.

E për këtë çështje, për “Bota sot” foli opinionsti Dedë Preqi, i cili kritikoi bllokadën institucionale, e cila më pas solli zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas tij, më së shumti me këtë qasje të partive politike, më së shumti po pëson shteti dhe populli i tij.

“Mbas dështimit të zgjedhjes së presidentit/es së Kosovës, detyrimisht duhet të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, të cilat, deshëm apo nuk deshëm, këtë e thotë Kushtetuta e këtij vendi.

Duke vazhduar të veprojmë në rrethana të tilla, të cilat për Kosovën kanë domethënie jo të mirë, nuk do të arrijmë atë që kërkohet në ndërtimin e institucioneve tona; një shembull që e përjetuam kohën e fundit, rreth të cilit varet e ardhmja e këtij shteti dhe mirëqenia e këtij populli.

Në këtë kontekst qëndron përvoja e hidhur e njerëzve të këtij vendi, të cilët do të ishin të rrethuar prej kësaj natyre të pakuptueshme, të cilën po e krijojnë veprimet dhe gabimet e veta, ku gjithçka mund të prapësohet, edhe ajo që e kemi arritur me shumë mund dhe sakrifica”.

Image
Dedë Preqi

Në këtë pikë, tha se, raportet e acaruar mes partive politike e kanë sjellë vendin në këtë pikë që është.

Madje, i cilësoi si të habitshme skenarët e opozitës dhe refuzimet që partitë ia bën Kurtit.

“Megjithatë, vërehet se marrëdhëniet e acaruara ndërmjet partive politike, apo pozitë–opozitë, do të ishin shkaqet kryesore të këtyre problemeve, të cilat, sipas përshtypjes, nuk mbështeten te ideja e ndërtimit dhe zhvillimit të këtij vendi, por në të kundërtën, në ndërtimin dhe zhvillimin e vetvetes.

Sado e habitshme na duket kjo situatë e fundit me këto skenarë të opozitës, e cila thirrjes së kryeministrit Kurti nuk i përgjigjet për të bërë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit/es, për të krijuar institucionet dhe qeverinë e vendit”, deklaroi opinionisti.

Më tej, Preqi foli edhe për lojërat politike që sipas tij po i bëjnë partitë opozitare, e që po japin shembullin më të keq në vend.

Për këtë, ai konsideroi se, skena politike aktualish po përballet me politika të pasinqerta e momente kritike, ku sipas tij, fajin kryesor për këtë e ka LDK.

“Vetëm përpjekjet e fundit me lojërat e partive politike të opozitës japin shembullin më të keq në vend, të cilat nuk janë në gjendje të sakrifikojnë interesat e tyre, por edhe më keq kur kundërshtohet një kandidate femër e propozuar për kryetare të shtetit, që ka një background të pasur humanitar dhe njerëzor, siç ishte zonja Reshiti.

Këto akte të qëllimshme dhe lojëra të pakonceptueshme, njëkohësisht me politika të pasinqerta, në këto momente kritike, rolin kryesor e merr LDK-ja, në krye me Abdixhikun, duke marrë përsipër edhe mëkatet e partive të tjera, të PDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, të cilat, në vend që të marrin pjesë në Kuvend për të zgjedhur presidentin e vendit, secila mbyllet në strofullat e veta jashtë Kuvendit, duke përgjuar nga larg për të kuptuar se çfarë po ndodh.

Është pikërisht kjo që ka ndodhur në momentet e fundit në Kosovë. Përveç faktit që e dëshmojnë këto gjëra, tani secili subjekt politik po mundohet ta fajësojë tjetrin, por si hapësirë e besueshme për një gjë të tillë do ta dëshmojë populli në zgjedhjet e reja, duke e ditur se vepra e secilit mund të gëzojë besimin e popullit ose, në të kundërtën, ta humbasë atë besim që i është dhënë”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, opinionisti shtoi se, kjo situatë politike po e rëndon qytetarin e Kosovës, megjithatë shpreson që shpejt do dalë nga ky degradim politik.

“Populli i këtij vendi në këto momente do të ishte më i trazuari dhe më i shqetësuari në rajon, i cili po i përjeton këto rrethana të jashtëzakonshme dhe po e përjeton rrënimin e vetvetes si të pashmangshëm, duke e ndier veten të lodhur nga ky rrënim për t’u vënë përballë tij, por me bindjen se nuk do të mposhtet lehtë dinjiteti i tij, të cilin e ka dëshmuar koha dhe historia shekullore.

Nëse duhet t’i besojmë kësaj formule politike, Kosova sikur nuk do të gjente rrugëdalje tjetër, përveç asaj që është vizioni i një politike nga klane të tilla, që kanë dhënë prova të mjaftueshme gjatë qeverisjeve të tyre në degradimin e kësaj shoqërie dhe të këtij shteti. Atëherë, për cilën Kosovë e kemi fjalën? Çfarë do të flasim për shtetin demokratik të Kosovës, për fatin e këtij populli dhe integritetin e tij, si një parakusht për hyrjen në BE dhe NATO?” – përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

Të Ngjashme