Lajme

Kosova hyn në 10 ditët vendimtare për zgjedhjen e presidentit

Kosova po hyn në një fazë vendimtare për zgjedhjen e presidentit, ndërsa afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 28 prill, po afrohet pa një marrëveshje të qartë politike.

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë ka bërë të ditur se nuk ka zhvillime konkrete për t’u ndarë publikisht, përveç faktit se po vazhdojnë bisedimet me Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkohë, Glauk Konjufca, i propozuar për president, ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nëse arrihet një kandidat që gjen mbështetje më të gjerë politike, përfshirë opozitën.

Nga ana tjetër, deputeti Lutfi Haziri ka konfirmuar se LDK-ja është në konsultime me Vetëvendosjen, me synimin për të arritur një marrëveshje që do të siguronte stabilitet institucional dhe do të shmangte krizën politike.

E Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që kryeministri ta formalizojë qasjen ndaj tyre përmes një letre zyrtare. Sipas deputetës, Vlora Çitaku, një kërkesë e tillë ende nuk është dorëzuar.

Nëse deri në fund të afatit nuk zgjidhet presidenti, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve. Deri më tash, mungesa e konsensusit dhe bojkotimi i seancave nga opozita kanë pamundësuar sigurimin e kuorumit të nevojshëm për votim.

Të Ngjashme