Lajme

KQZ fillon programin trajnues për zyrtarët e trajnimit në KKZ

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 7 qershorit, KQZ ka filluar me programin e trajnimit dyditor që do të angazhohen gjatë këtij procesi zgjedhor në 38 Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Trajnimi përfshin rreth 200 zyrtarë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe synon forcimin e aftësive profesionale të tyre për zbatimin korrekt të procedurave zgjedhore, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Në ditën e parë të programit trajnues, pjesëmarrësit u njohën me një sërë temash që lidhen me administrimin e procesit zgjedhor. Trajnimi përfshiu rolin dhe përgjegjësitë e trajnerëve, si dhe zhvillimin e aftësive prezantuese dhe të lehtësimit gjatë trajnimeve.

Po ashtu, u trajtuan procedurat e votimit dhe të numërimit në vendvotime, mënyra e administrimit të votimit me kusht dhe votimit për personat me nevoja të veçanta (VPNV), si dhe procedurat për paketimin dhe dorëzim-pranimin e materialit zgjedhor. Një pjesë e trajnimit iu kushtua edhe procesit të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN).

Përveç pjesës teorike, pjesëmarrësit zhvilluan edhe aktivitete praktike në grupe, ku analizuan situata konkrete dhe diskutuan sfidat që mund të paraqiten gjatë procesit të votimit dhe numërimit.

Programi i trajnimit do të vazhdojë edhe të premten, ku pjesa kryesore do t’i kushtohet ushtrimeve praktike dhe simulimeve të procedurave zgjedhore. Pjesëmarrësit do të angazhohen në simulimin e procesit të votimit të rregullt në vendvotime, numërimin e votave dhe paketimin e materialit zgjedhor pas përfundimit të votimit.

Gjithashtu, do të realizohen ushtrime praktike që lidhen me votimin me kusht dhe votimin e personave me nevoja të veçanta, si dhe me procedurat e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit.

Në fund të trajnimit do të zhvillohet një vlerësim i përgjithshëm i programit dhe një testim për pjesëmarrësit, me qëllim të matjes së njohurive dhe aftësive të fituara gjatë sesioneve trajnuese.

Në përgjithësi, trajnimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen profesionale të stafit zgjedhor, duke ndihmuar në organizimin e një procesi zgjedhor të besueshëm, transparent dhe në harmoni me standardet demokratike.

Ky aktivitet është pjesë e angazhimeve të KQZ-së për të siguruar një proces zgjedhor të organizuar dhe efikas në të gjitha komunat e Kosovës. Shumë prej zyrtarëve të përfshirë në këtë program kanë qenë të angazhuar edhe në procese të mëhershme zgjedhore dhe kanë përvojë në administrimin e zgjedhjeve.

Pas përfundimit të këtij trajnimi, detyrë e tyre do të jetë organizimi dhe zhvillimi i trajnimeve për trupat zgjedhore që do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, përfshirë ato në vendvotime, si dhe ekipet që do të administrojnë votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, aktivitetet në QKN dhe QNR.

Të Ngjashme