Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka thënë se familja e tij prej 6 vjetësh pret vizita nga përfaqësuesit e institucioneve. Ai ka theksuar se në ndërtimin e këtyre institucioneve kanë kontribuar edhe vepra dhe sakrifica e babait të tij.
Në reagimin e tij, Krasniqi ka shkruar se dera e shtëpisë mbetet e hapur për të gjithë ata që bashkëndiejnë dhimbjen e familjes.
“Dera e shtëpisë sonë vazhdon të qëndrojë e hapur, tash e 6 vjet, për familjarë, miq dhe për të gjithë ata që bashkëndiejnë dhimbjen tonë”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka shprehur pritjen që përfaqësuesit institucionalë ta vizitojnë familjen, duke kujtuar kontributin e babait të tij.
“Përgjatë këtyre 6 viteve, kemi pritur që përfaqësues të institucioneve tona të vijnë në këtë shtëpi dhe ende vazhdojmë t’i presim. Sepse pjesë e ndërtimit të këtyre institucioneve janë edhe vepra dhe sakrifica e babait tim”, ka theksuar Krasniqi.
Ai e ka përmbyllur reagimin me mesazhin se dera do të mbetet e hapur për ata që çmojnë këtë sakrificë.
“Kjo derë do të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që e ndjejnë dhimbjen tonë dhe e çmojnë sakrificën për lirinë dhe shtetin tonë”.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar në takim familjarët e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kjo ftesë vjen pak ditë pas vendimit dënues të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Pranimin e ftesës e ka konfirmuar Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqi.
Sipas tij, ftesa ka arritur në adresë të tyre, mirëpo ende nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takim.
Sonte, mbahet protesta e shtatë me radhë kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë, ndërsa i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim duke llogaritur edhe kohën e qëndrimit në paraburgim.
