Lajme

Krasniqi: Procedura për zgjedhjen e Presidentit ngre dilema kushtetuese

Kuvendi i Kosovës zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, e bojkotuar nga opozita. Partia e kryeministrit Albin Kurti propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Në rundin e parë, Rushiti mori 63 vota, një ishte e pavlefshme, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë.

Profesori Kolë Krasniqi ka komentuar situatën e fundit për zgjedhjen e presidentit.

Ai thekson se zgjedhja e Presidentit pa kuorum është shkelje serioze e rendit kushtetues.

Sipas tij, kuorumi (neni 86 i Kushtetutës së Kosovës) nuk është formalitet, por garanci e legjitimitetit demokratik. Anashkalimi i tij rrezikon procesin, dobëson rolin e Presidentit dhe rrit polarizimin politik.

“Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit kushtetues nuk përbën vetëm një problem procedural, por atakon drejtpërdrejt thelbin e rendit kushtetues dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 86) është eksplicite: zgjedhja e Presidentit kërkon pjesëmarrje dhe votim brenda një kuorumi të caktuar parlamentar. Kuorumi nuk është formalitet teknik, por garanci substanciale e legjitimitetit demokratik.

Një përpjekje për ta anashkaluar atë përbën cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues, delegjitimim të procesit zgjedhor dhe një precedent tejet të rrezikshëm për relativizimin e normave kushtetuese.

Funksioni i kuorumit në zgjedhjen e Presidentit synon të imponojë kompromisin politik dhe të sigurojë një figurë me legjitimitet më të gjerë sesa ai i shumicës së thjeshtë.

Anashkalimi i këtij mekanizmi nënkupton reduktim të rolit dhe funksionit të institucionit të Presidentit, dobësim të funksionit të tij unifikues, si dhe thellim të polarizimit politik dhe institucional”, tha ai.

Më tej, thotë se procedura për zgjedhjen e Presidentit është e cenueshme dhe mund të shpallet e pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, duke shkaktuar krizë institucionale.

Ai kritikon mungesën e kompromisit politik, manipulimin e Kushtetutës dhe përdorimin e bojkotit për bllokim

“Procedura e zhvilluar mbrëmë për zgjedhjen e Presidentit është e cenueshme në disa nivele, pasi menjëherë hapet rruga për kontestim kushtetues para Gjykatës Kushtetuese, e cila, në një situatë të tillë, me gjasë do ta shpallte të pavlefshme tërë procedurën e zhvilluar të zgjedhjes së Presidentit.

Kjo gjendje – si provokim dhe shkelje flagrante e Kushtetutës – do të prodhonte një krizë të thelluar institucionale, me pasoja serioze për funksionimin normal të organeve shtetërore.

Situata aktuale nuk përbën një incident të izoluar, por pasqyron probleme të konsoliduara strukturore: mungesën e kulturës së kompromisit politik, instrumentalizimin e dispozitave kushtetuese për qëllime taktike, dominimin e interesave partiake mbi funksionalitetin institucional, si dhe përdorimin e bojkotit si mjet politik për bllokimin e kuorumit.

Në këtë kontekst, shfaqet qartë një tension i vazhdueshëm ndërmjet legjitimitetit politik (numrave) dhe legjitimitetit kushtetues (rregullave).

Çdo përpjekje për zgjedhjen e Presidentit jashtë kuadrit të kuorumit kushtetues përbën devijim nga parimi i sundimit të ligjit, rrezik për erozionin gradual të rendit kushtetues dhe një sinjal të qartë të dobësisë së institucionalizimit demokratik.

Në një shtet funksional, Kushtetuta nuk është objekt interpretimi oportunist politik, por një kufi i pakalueshëm dhe i pacenueshem juridik” – përfundon ai.

Të Ngjashme