Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me stafin e tij, ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schubel.
Sipas njoftimit të Policisë në Facebook, Hoxha i ka uruar mirëseardhje Schubelit në detyrën e re, ndërsa e ka njoftuar atë me angazhimet, prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet Policia e Kosovës në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.
“Në këtë takim ndër të tjera u diskutua edhe për rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së BE-së në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të PK-së, me ç’rast ambasadori Schubel nga ana e tij vlerësoi se bashkëpunimi me PK-në është i një rëndësie të veçantë ngase kontribuon në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet mes tjerash në njoftimin nga PK.
