Avokati i njohur Tomë Gashi, e ka quajtur “krim” djegien e dy zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë.
Ai ka thënë se djegia erdhi nga kriminelët e sofistikuar, që pas “24 vitesh aktivitet kriminal”, e dogjën të paktën zyrën e drejtorit Arsim Gërxhaliu, përcjell Bota sot.
“Kriminelët ordinerë, pas një krimi, zakonisht i djegin makinat.
Kriminelët e sofistikuar, pas 24 vitesh aktivitet kriminal, “zakonisht” e djegin Institutin e Mjekësisë Ligjore – nëse jo tërë objektin, të paktën zyrën e drejtorit.
Në një shtet serioz, dikush do të duhej të ishte shumë, shumë, shumë i shqetësuar – e jo vetëm ‘i shqetësuar’.
Të paditur thonë janë djegur veç disa letra – krimi nuk ka brina”, ka shkruar Gashi në një postim në Facebook.
Një zjarr i ka përfshirë disa zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës në Prishtinë mëngjesin e sotëm.
Sipas Polisicë së Kosovës, nuk raportohet për persona të lënduar.
Policia tha se zjarri në dy zyre të Institutit Mjekësisë Ligjore në Prishtinë u raportua në orën 8:00 të martën.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe mostrave.
Ajo ka shtuar se pa u kuptuar shkaqet e zjarrit, nuk mund të japë më shumë informacione.
“Ekipet e zjarrfikësve, policia, prokuroria menjëherë kanë shkuar në vendim e ngjarjes. Nga vlerësimet fillestare, nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së IML dhe mostrave. Ekipet e forenzikës dhe ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke e kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.