Lajme

Kryeministri Kurti: 50 milionë euro për skanimin e burimeve minerare

Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar planet e tij për zhvillimin e sektorit minerar, duke e cilësuar atë si një sektor strategjik me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Sipas Kurtit, në mandatin e ri qeverisës do të ndërtohen partneritete strategjike në nivel shtetëror për hulumtime dhe investime të përbashkëta në sektorin minerar, me qëllim shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore dhe nxitjen e zhvillimit industrial.

Ai ka paralajmëruar krijimin e një fondi prej rreth 50 milionë eurosh, i cili do të shërbejë për skanimin e plotë të burimeve minerare dhe natyrore të Kosovës, si dhe për vënien e tyre në funksion të ekonomisë së vendit.

Në fokus të këtij plani mbetet Trepça, e cila sipas Kurtit do të jetë shtylla kryesore e zhvillimit të sektorit minerar. Ai ka bërë të ditur se investimet dhe hulumtimet do të zgjerohen edhe në zona të tjera me potencial të lartë minerar.

Po ashtu, Kurti ka njoftuar se në kuadër të zhvillimit të Trepçës parashihet përfshirja e një korporate minerare me përvojë të gjatë ndërkombëtare si bashkëinvestitor, në bashkëpunim me një nga shtetet mike të Kosovës.

Zhvillimi i sektorit minerar dhe fuqizimi i Trepçës janë pjesë e zotimeve programore të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat synojnë rritjen e prodhimit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe forcimin e ekonomisë së Kosovës.

Të Ngjashme