Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë vizituar sot segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugën e asfaltuar në hyrje të Dragashit dhe kanë takuar po ashtu Kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini dhe zyrtarin komunal për komunitete dhe kthim, Uzair Hamza.
Në fjalën e tij, kryeministri i ka falënderuar qytetarët e Dragashit për bashkëjetesën atje, por edhe kryetarin, si dhe të gjitha partitë politike të cilët bashkëpunojnë dhe në këtë mënyrë mundësojnë jetën e mirë.
‘’Dragashi ka nevojë për më shumë investime dhe prandaj ne po përpiqemi që të bëjmë sa më shumë infrastrukturë. Do ta përfundojmë edhe rrugën e cila e lidh Restelicën me kufirin me Maqedoninë e Veriut, me komunat e Mavrovës dhe të Gostivarit atje’’, është shprehur Kryeministri Kurti.
Ai tha se sot paradite me ministrin, Nenad Rashiq, ishin bashkë në Ferizaj, për vendosjen e gurthemelit të shtëpisë së një familjeje gorane me prejardhje nga Dragashi e cila i ka 11 anëtarë, dhe tash po bëhet me shtëpi.
Ndërkaq, Ministri Aliu tha se sot bashkë me Kryeministrin Kurti, kolegë e bashkëpunëtorë, vizituan punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugëve që tashmë kanë marrë një dinamikë të re të zhvillimit të punimeve. Ai tregoi se kjo rrugë është e ndarë në dy Lote, Lot 1: Zhur – Dragash dhe Lot 2: Dragash – Brod, me vlerë të përgjithshme prej: 7,731,053.31 EUR.
Realizimi i punimeve deri më tani ka përfunduar rreth 70%, dhe pritet që të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve deri në vitin e ardhshëm.
Kryeministri gjatë vizitës në Komunën e Dragashit pati takim edhe me Kryesuesin e Asamblesë komunale, Uran Halimi dhe përfaqësues të komunës.
Dragashi është komuna me përqindjen më të lartë të komuniteteve jo shumicë, rreth 41%.
Ndërkaq, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndihmuar këtë komunë përmes thirrjeve të ndryshme për komunitetet, ku 3 milionë euro janë ndarë për fermerët dhe prodhuesit e vegjël, për OJQ-të që ndihmojnë në punësimin e komuniteteve dhe për vende pune në biznese të reja dhe ato ekzistuese.
Thirrje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit për mediat me bazë në komunitet, për aktivitete kulturore për komunitetet, si dhe për aktivitetet e OJQ-ve që ndihmojnë në punësim. Gjithashtu këtë vit do të ndahen 5 bursa për programin e studimeve ballkanistike në Universitetin e Prishtinës për studentë nga komunitetet jo shumicë, etj.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Për bashkëjetesën këtu duhet t’i falënderohemi qytetarëve, duhet t’i falënderohemi edhe kryetarit dhe duhet t’i falënderohemi të gjitha partive politike të cilët bashkëpunojnë dhe në këtë mënyrë mundësojnë jetën e mirë.
Dragashi ka nevojë për më shumë investime dhe prandaj ne po përpiqemi që të bëjmë sa më shumë infrastrukturë. Do ta përfundojmë edhe rrugën e cila e lidh Restelicën me kufirin me Maqedoninë e Veriut, me komunat e Mavrovës dhe të Gostivarit atje.
Ndërkaq, sot paradite me ministrin tim, Nenad Rashiq, kam qenë bashkë në Ferizaj, ja kemi ndërtuar shtëpinë një familje gorane me prejardhje nga Dragashi e cila i ka 11 anëtarë. Familje e varfër që tash po bëhet me shtëpi.
Tash, dikur ka qenë ministër i imi z.Rakiq, tash e kam ministër Nenad Rashiqin. Nenad Rashiqi, është pakrahasimisht më i mirë, më punëtorë dhe gjithashtu po e gjen mbështetjen gjithnjë e më të madhe të qytetarëve jo vetëm serbë, në vendin tonë.
Ndërsa, sa i përket atyre emrave që i kam përmendur në seancën plenare të Kuvendit të Republikës, i kam përmendur 5 që janë arrestuar dhe organet tona të sigurisë i kanë identifikuar edhe 28 të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në organizim, orkestrim e nganjëherë edhe aktivisht në sulme të dhunshme kundër ushtarëve të NATO-s, kundër policëve të Kosovës dhe kundër juve gazetarëve, siç mund ta keni parë edhe vet.
Pra, është sundimi i ligjit, janë proceset e drejtësisë ato të cilat do ta vërtetojnë gjithçka. Mirëpo ne videot, fotografitë i kemi pa që të gjithë. Nuk jetojmë në shekullin e XIX, që mos të dihet çka ka ndodh në një vend tjetër. Në kohë reale është përcjellur një dhunë brutale e elementeve ekstremistë të cilët edhe dirigjohen, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar.
Dhe Lista Serbe kur i ka braktisur institucionet me datën 5 nëntor të vitit të kaluar e ka bërë gabimin kardinal. Pastaj e kanë pasur me gabimin e dytë që i kanë bojkotuar zgjedhjet, pastaj kanë thirrur të tjerët për bojkot të zgjedhjeve dhe për këto gabime të njëpasnjëshme që janë pasojë e qëllimeve të gabuara duhet të paguajnë ata, jo Republika jonë.