Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit për Nënën Terezë, të autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj, që u mbajt në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri tha se sot kemi në duar një vepër e cila shtjellon rrugëtimin e Gonxhes drejt misionares së shpirtit njerëzor, e deri te shenjtorja e popujve.
“Krahas 10-vjetorit të shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, sot nuk mund të mos kujtojmë 5 shtatorin e vitit 1997, kur humanistja Gonxhe Bojaxhiu u nda fizikisht nga jeta në Kalkutë. Jo rastësisht, Organizata e Kombeve të Bashkuara e shpalli 5 shtatorin Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë, duke nderuar në mënyrë dinjitoze veprën e saj tërë-jetësore. T’ua kushtosh jetën të tjerëve është misioni më fisnik, e njëherësh më i vështiri, që mund të ndërmarrë njeriu”, tha kryeministri.
Duke folur për librin, kryeministri tha se ‘çka e bën këtë vepër unike dhe të veçantë është fakti që fokusohet në të dhëna familjare e komunitare, duke hedhur dritë mbi faktorët që shtruan rrugën dhe shërbyen si bazament për formimin e Nënë Terezës universale’
Pasi falënderoi autorët për përkushtimin, energjinë dhe devotshmërinë, kryeministri tha se “Është privilegj dhe përgjegjësi njëherësh për mua që të shkruaj parathënien e kësaj vepre, e cila sot begaton korpusin e dokumentuar jetësor të Nënës Terezë”.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuara zëvendësministre Kulturës dhe Turizmit, znj. Nora Arapi Krasniqi,
I nderuari zëvendësministër i Mbrojtjes , Gegë Lleshi,
E nderuar znj. Blerina Rogova Gaxha, Drejtore e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Koosvës,
I nderuar z. Bernard Çobaj, ambasador i Mali të Zi në Republikën e Kosovës,
I nderuar profesor Skender Asani, autor i veprës,
I nderuar Don Lush Gjergji, recensent i veprës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Me dekada të tëra, është folur e shkruar për Nënën Terezë, këtë figurë të ndritur që shqiptaria ia dhuroi botës me bujarinë tonë karakteristike.
Sot kemi në duar një vepër e cila shtjellon rrugëtimin e Gonxhes drejt misionares së shpirtit njerëzor, e deri tek shenjtorja e popujve. Një grua e madhe e dalë nga një komb relativisht i vogël, e cila për aq sa pati jetë e frymë, ofroi ndihmë e dashamirësi pa kushte.
Krahas 10-vjetorit të shenjtërimit të saj nga Papa Françesku, sot nuk mund të mos kujtojmë 5 shtatorin e vitit 1997, kur humanistja Gonxhe Bojaxhiu u nda fizikisht nga jeta në Kalkutë. Jo rastësisht, Organizata e Kombeve të Bashkuara e shpalli 5 shtatorin Ditë Ndërkombëtare të Bamirësisë, duke nderuar në mënyrë dinjitoze veprën e saj tërë-jetësore.
T’ua kushtosh jetën të tjerëve është misioni më fisnik, e njëherësh më i vështiri, që mund të ndërmarrë njeriu.
Kjo qe zgjedhja e Nënës Terezë, vajzës shkupjane të lindur në një familje shqiptare, bijë e Kolë Bojaxhiut nga Prizreni dhe Drane Barnajt nga Novosella e Gjakovës, e rritur me frymën e mirësisë dhe përgjegjësisë për të ndihmuar ata të cilët kanë më së shumti nevojë. Dhe pikërisht këtë rrugëtim e përshkruan vepra e cila promovohet sot, “Udha misionare e Gonxhe Bojaxhiut drejt Nënë Terezës universale”. Është kjo një punë madhore e autorëve Skënder Asani dhe Albert Ramaj, të cilët shfrytëzoj rastin t’i falënderoj për kontributin akademik, historik, por edhe kulturor e shpirtëror.
Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, mendimtari Karl Gustav Jung, si themelues i psikologjisë antike, shkruante po citoj: “Ai që sheh jashtë ëndërron, por ai që sheh brenda zgjohet”, pra, zgjimi i mendjes dhe shpirtit ka të bëjë drejtpërdrejt me brendinë e secilës dhe të secilit prej nesh. Brendia jonë është thelbi i qenies prej ku vijnë në jetë vlerat më të çmuara që i kemi si individë. Kur këto tipare individuale gërshetohen në bashkësi me të tjerët, aty realizohet potenciali i plotë njerëzor. Te Nëna Terezë ky potencial u kultivua në familjen Bojaxhiu, u zhvillua në komunitetin ku ajo u rrit, dhe mori hov në rrafsh global me thirrjen e saj shpirtërore. Ambienti kulturor e fetar ku ajo mori formimin dhe edukatën e parë qe në Shkup, aty ku nisi ndjenja e solidaritetit dhe përgjegjësisë ndaj njeriut.
Pra, aty Gonxhe Bojaxhiu i mësoi dhe i bëri bashkë paqen e dashurinë, që më pastaj e sjellin bamirësinë e saj për të tjerët.
Por, çka e bën këtë vepër unike dhe të veçantë është fakti që fokusohet në të dhëna familjare e komunitare, duke hedhur dritë mbi faktorët që shtruan rrugën dhe shërbyen si bazament për formimin e Nënë Terezës universale.
Letrat dhe fotografitë e saj prej asaj kohe që tregojnë gruan e thjeshtë para se të bëhej e njohur ndërkombëtarisht. Ndërkaq, udha e saj përmes vendeve të ndryshme të botës ia zgjeroi horizontet, duke fortifikuar bindjen për misionin e saj të shenjtë, njëherë në Kroaci, pastaj në Irlandë, e më pastaj në Indi. Në këtë rrugëtim, Gonxhja shkriu vetveten por pa e humbur identitetin. Siç e kam theksuar edhe në parathënie, ajo u shndërrua në urë, jo në mur.
Në kohët tona, më shumë se kurrë urat kanë rëndësi jetike. Janë lidhja jonë me njëri-tjetrin, janë dyer të mirëkuptimit, dhe përfundimisht çelësi drejt një bote më të mirë. Vepra e sotme e ka të ngërthyer këtë koncept në qendër, duke qenë se periodikët, “Katoličke Misije” dhe “Blagovest”, janë dy shtyllat kryesore që janë ndërlidhur bukur mirë. I pari dokumenton përjetimin e hershëm të thirrjes misionare të Nënës Terezë. I dyti sjell memorien kolektive të bashkësisë ku ajo lindi dhe u formua. E të dy bashkë na sjellin një tablo të pasur me të dhëna origjinale, me këndvështrime historike e shkencore, duke i shtuar edhe ngjyrime personale nga jeta e saj në familje e në komunitet.
Më tej, vepra në fjalë është plotësuar me dy recensione shkencore nga biografi i Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji, dhe historiani Prof. Dr. Martin Berishaj, të cilët shtjellojnë çështje të historiografisë përmes interpretimit human e shpirtëror, si dhe aspekte të personalitetit dhe përsiatjeve e përjetimeve të saj përgjatë udhëve të jetës.
Prandaj është privilegj dhe përgjegjësi njëherësh për mua që të shkruaj parathënien e kësaj vepre, e cila sot begaton korpusin e dokumentuar jetësor të Nënës Terezë.
Të nderuar autorë, ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon shumë lart punën dhe përkushtimin tuaj, energjinë dhe devotshmërinë ndaj kësaj sipërmarrjeje me vlera kombëtare e historike.
Të dashur bashkëqytetarë, ju ftoj ta lexoni këtë punim dhe të inkurajoni edhe të tjerët për ta marrë në dorë, jo vetëm për të thelluar njohuritë përmes këtij libri, por edhe për t’ia kujtuar vetes rëndësinë e kuptimit të drejtë të historisë sonë dhe njerëzve të ndritur që nxjerr shqiptaria.
Ju faleminderit për vëmendjen!

