Lajme

Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim i OKB-së, Stephen O’Malley.

Gjatë takimit, kryeministri në detyrë Kurti dorëzoi formalisht dokumentin e miratimit të Planit Strategjik të UNKT 2026–2030, ndërsa u riafirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e prioriteteve zhvillimore të Kosovës dhe zbatimin e Agjendës 2030.

Ai theksoi se prioritetet e identifikuara në Planin Strategjik, si zhvillimi i kapitalit njerëzor, llogaridhënia në qeverisje, sundimi i ligjit dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, përputhen me prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kryeministri në detyrë shtoi se synimi është që këto prioritete të shndërrohen në përmirësime konkrete: shërbime më të mira, më shumë vende pune dhe mundësi punësimi, institucione më të forta dhe zhvillim të qëndrueshëm, nga i cili përfitojnë të gjitha komunitetet.

Ai falënderoi Ekipin e Kombeve të Bashkuara për mbështetjen, angazhimin, eksperizën dhe kontributin në rrugën e zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Image
Image

Të Ngjashme