Lajme

Kryeprokurori Blerim Isufaj dhe drejtori Sami Istrefi takohen me Todd Hendricks dhe John Cotton Richmond

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka zhvilluar një takim me personalitete të njohura amerikane dhe ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, në kuadër të vizitës së tyre në Republikën e Kosovës.

Në takim morën pjesë Todd Hendricks, njëri nga organizatoret e Lutjeve të Mëngjesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës, si dhe John Cotton Richmond, një nga ekspertët më të njohur amerikanë në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore dhe krimit ndërkombëtar dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi.

John Cotton Richmond ka shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara për Monitorimin dhe Luftimin e Trafikimit me Persona në periudhën 2018–2021, pasi ishte konfirmuar unanimisht nga Senati Amerikan. Në këtë funksion ai ka udhëhequr politikën e jashtme të SHBA-së në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe ka koordinuar përgjigjen ndërinstitucionale të Qeverisë Amerikane ndaj kësaj dukurie.

Më herët, ai ka qenë për më shumë se një dekadë prokuror federal në Njësinë për Ndjekjen Penale të Trafikimit me Njerëz në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, ku ka ndjekur penalisht raste të shumta të trafikimit dhe krimeve kundër të drejtave civile.

Gjithashtu, ka qenë bashkëthemelues i Human Trafficking Institute dhe ka ushtruar aktivitete profesionale ndërkombëtare në Indi, në kuadër të International Justice Mission.

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për avancimin e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kryeprokurori Isufaj falënderoi mysafirët për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar përkushtimin institucional për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

Nga ana e tyre, mysafirët vlerësuan progresin institucional të Kosovës në fushën e drejtësisë dhe ritheksuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit profesional dhe institucional në iniciativa që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe avancimin e sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Të Ngjashme