Aktuale

Kthesë e fortë në dosjen e bujshme, Apeli merr vendimin e papritur për çështjen Hekuran Billa

Kthesë e fortë në dosjen e bujshme, Apeli merr vendimin e papritur për çështjen Hekuran Billa

Gjykata e Apelit rikthen për rigjykim dosjen e vrasjes së Hekuran Billës, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm për pushimin e çështjes ndaj Viktor Markut dhe nipit të tij, Sebastian Mali.

Vendimi i Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vjen disa muaj pasi Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë, kishte vendosur pushimin e akuzave ndaj dy të dyshuarve, me argumentin se mungonin provat e mjaftueshme për t’i mbajtur përgjegjës si organizatorë të ekzekutimit të 40-vjeçarit.

Sipas vendimit të ri, Apeli ka konstatuar parregullsi në procesin gjyqësor dhe ka urdhëruar që çështja të shqyrtohet sërish nga një tjetër trupë gjykuese në Gjykatën e Tiranës.

Hekuran Billa u vra mbrëmjen e 11 qershorit 2020 pranë zonës së Komunës së Parisit në Tiranë, teksa ndodhej brenda automjetit të tij, pak ditë pas kthimit nga Belgjika.

Ai kishte qenë më herët i dënuar në Britaninë e Madhe për vrasjen e Prelë Markut. Pas ekstradimit në Shqipëri, kishte vuajtur dënimin në burgun e Fushë-Krujës dhe ishte liruar me kusht, përpara se të bëhej objekt i atentatit fatal.

Nga hetimet, Viktor Marku, vëllai i Prelë Markut, dhe nipi i tij Sebastian Mali janë konsideruar si persona të dyshuar për organizimin e ngjarjes, me motiv të dyshuar hakmarrjen. Viktor Marku ishte arrestuar në Mal të Zi pas ngjarjes dhe më pas ishte ekstraduar drejt Shqipërisë.

Kjo çështje është shoqëruar prej kohësh me pikëpyetje mbi rrjedhje informacioni dhe ndërhyrje të mundshme nga brenda institucioneve shtetërore. Me rikthimin e dosjes në gjykim, pritet që këto elemente të jenë sërish pjesë e hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor.

Të Ngjashme