Një zhvillim dramatik është rregjistruar në gjyqin e apelit për vrasjen e Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare e cila humbi jetën më 25 tetor 2024, pasi ra nga ballkoni i banesës së saj në Piacenza të Italisë. Gjatë seancës dëgjimore në Gjykatën e Apelit të Bolonjës, ish-i dashuri i njohur i vajzës ka rrëfyer për herë të parë se është ai autor i vrasjes, duke përmbysur plotësisht versionin e tij të mëparshëm.
I riu, i cili në shkallën e parë është dënuar me 17 vite burgim, pranoi përpara trupit gjykues se e kishte shtyrë qëllimisht Aurorën nga ballkoni, ndonëse motivi i saktë i këtij akti mbetet ende i paqartë. Përveç pranimit të fajësisë, ai u shpreh i penduar dhe kërkoi falje që zgjodhi të heshtë dhe të mohojë krimin për një kohë kaq të gjatë.
Ky rrëfim shënon një pikë kthese kritike për drejtësinë, duke rrëzuar strategjinë e mbrojtjes që insistonte në pafajësi gjatë fazës hetimore dhe gjykimit të parë në Gjykatën e të Miturve.
Pas përfundimit të seancës, avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e viktimës, deklaroi se ky pranim i përgjegjësisë mbyll përfundimisht rrethin e fakteve mbi ngjarjen e rëndë. Ai shtoi se pala civile pret që Gjykata e Apelit të lërë në fuqi dënimin e shkallës së parë, duke e cilësuar atë si të përshtatshëm.
Gjatë procesit të deritanishëm, prokuroria ka administruar si prova edhe mesazhe e biseda në ChatGPT që Aurora u kishte dërguar familjarëve, të cilat dëshmonin përndjekjen e vazhdueshme dhe klimën e frikës në të cilën ajo jetonte përpara se t’i merrej jeta. Procesi gjyqësor ndaj autorit është shtyrë dhe pritet të rifillojë më 10 shtator.
