Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në Romë, pasi akuzohen për trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa apartamenti ku banonin ishte kthyer në një bazë droge dhe parash.
Sipas mediave italiane, operacioni nisi pasi karabinierët ndaluan për kontroll një automjet me qira në zonën e Via Ipogeo degli Ottavi. Sjellja e dyshimtë dhe nervozizmi i drejtuesit të mjetit, një shtetas shqiptar, shtynë efektivët të kryenin kontrolle më të detajuara.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti të fshehura në hapësirën pranë pragut të derës tre pako me 11 doza kokaine, si dhe rreth 400 euro cash që ndodheshin në posedim të shoferit.
Hetimet vijuan më pas në një banesë në zonën Casal del Marmo, ku banonin i arrestuari dhe një tjetër shqiptar 21-vjeçar.
Sipas karabinierëve të stacionit të Ottavisë, apartamenti funksiononte si një “qendër magazinimi” dhe menaxhimi të aktivitetit të trafikut të drogës.
Gjatë bastisjes, autoritetet sekuestruan rreth 270 gramë kokainë, një pjesë të ndarë në doza dhe një pjesë të paketuar në vakum, si dhe 40,120 euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Po ashtu, policia gjeti tre ditarë kontabiliteti ku regjistroheshin transaksionet e trafikut të drogës, pajisje për paketim në vakum dhe dy peshore elektronike precize.
Kontrollet u zgjeruan edhe në automjete të tjera në pronësi të dy shqiptarëve, ku u zbuluan doza të tjera narkotikësh.
Në përfundim të operacionit, autoritetet sekuestruan dy automjete, lëndën narkotike dhe shumën e konsiderueshme të parave.
Dy të arrestuarit u dërguan në burgun Regina Coeli, ndërsa gjykata italiane konfirmoi masën e paraburgimit ndaj tyre.
