I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte astrologu i njohur Jorgo Pulla, i cili bëri një parashikim për javën e dytë të këtij muaji, 11-17 mars, për 12 shenjat e zodiakut. “Kjo javë na bën të jemi më afër njëri-tjetrit, në lidhje me dashurinë ka shumë ndikime të favorshme, pasi kemi Mërkurin në Dash dhe Plutonin në Ujor, që na japin mundësi në çëshjet që lidhen me punën, me karrierën dhe vazhdimësinë” u shpreh Jorgo, duke shtuar se të gjitha problematikat që kanë të bëjnë me pasurinë, zgjidhen më së miri dhe një ndikim të veçantë kanë: Dashi, Luani, Shigjetari, Binjakët, Peshorja, Ujori. Ndërsa në datën 17 Mars, gati të gjitha shenjat duhet të jenë të vëmendshme, pasi Dielli takohet me Neptunin tek Peshqit dhe mund të krijojë anomali. Astrologu Pulla më tej u ndal në parashikimin javor më të detajuar për 12 shenjat e zodiakut
Dashi
Dashi si shenjë zjarri, ka një mundësi plus sa i takon kësaj jave dhe një ndikim shumë të mirë në fushën e karrierës dhe punës. Është moment i mirë për të zgjidhur problemet që nuk janë zgjidhur më parë në të shkuarën. Marrja e një kredie kthehet në investim dhe kjo javë është java e stabilizimit ekonomik-financiar. Në anën shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Bricjap dhe Luan janë më perfektet.
Demi
Demi si shenjë toke, në këtë javë ka shumë mundësi, veçanërisht të palidhurit kanë shanse shumë të mira për të gjetur shpirtin binjak. Mund të bëhet një bashkim familjar dhe ata që janë në Europë do të kenë përfitime. Ata që kanë të bëjnë me dokumentacione do të përfitojnë shumë. Në fushën shpirtërore njohjet që kanë të bëjnë me Ujor, Virgjëreshë, Akrep janë idealja dhe lidhjet me Gaforre përfundojnë në martesë.
Binjakët
Duket se Binjakët këtë javë kanë takime shumë të rëndësishme në role drejtuese. Edhe pse kanë patur probleme bankare, në këtë javë Binjakët i zgjidhin. Blerja e një shtëpie për Binjakët është perfektja. Fillimi i një biznesi gjithashtu është ideal. Në çështjet shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Shigjetar, me Peshk apo Gaforre janë më të favorizuara.
Gaforrja
Duket se janë pak konfuz për atë që duan të bëjnë, por kanë mundësi që në këtë javë të kenë një zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja në lidhje me punën dhe karrierën, është një moment tani që çdo gjë shkon mbarë. Në çështjet shpirtërore lidhjet që kanë të bëjnë me Bricjap, Ujor janë perfekte. Pak vëmëndje duhet të Gaforrja me Demin e dhjetëditëshit të dytë.
Luani
Luanët duhet të bëjnë një takim të rëndësishëm që lidhet me fushën ekonomike-financiare. Për shkak të ndikimit të madh të Hënës në Dash, Luanët përfitojnë në këtë pikë. Duhet të trokasin për të mbyllur çështje të vjetra! Do nisin të realizojnë planet e tyre për të patur një prespektivë pozitive, do të gëzojnë gjithashtu për një dokument të rëndësishëm që do të marrin përgjatë kësaj jave. Në fushën e dashurisë, lidhjet më të mira janë me Bricjap dhe Dash, ndërsa me Ujor është vetë jeta.
Virgjëresha
Në këtë periudhë Virgjëreshat kanë një mundësi për të zgjidhur një problem që ka të bëjë më punën e tyre. Janë në kërkim të së vërtetës në këtë javë, pasi në fushën e biznesit presin shumë gjëra të mira në vazhdimësi. Kjo javë është më e mira për të marrë vendime, pra duhet t’i hedhin në letër. Në çështjet shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Peshk dhe Dem, janë perfektet.
Peshorja
Kanë një ndikim shumë të mirë Peshoret në lidhje me çështjet e punës, sikurse kanë mundësinë e zgjidhjes së një konflikti të vjetër që kanë patur. Në lidhje me çështjet ekonomike dhe punën e tyre, gjërat duket se do të ndryshojnë për mirë. Është një moment mjaft i mirë në lidhje me një udhëtim pune dhe është saktësisht koha e duhur. Sa I takon fushës shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Gaforre dhe Bricjap janë perfekte, kurse me Ujor kërkohet pak vëmendje, pasi Ujori është pak nevrik në këtë periudhë.
Akrepi
Është mjaft romantik si shenjë, ndërsa si shenjë uji Akrepi jep shumë mundësi për të bërë gjëra të bukura. Në lidhje me një takim pune të rëndësishme, kjo javë është më e mira. Në fushën sentimentale të palidhurit do të nisin një rrugëtim të ri me plot mundësi, ku një njohje mund të kthehet në lidhje serioze.
Shigjetari
E kanë anën ekonomike të stabilizuar dhe janë drejt një finishi të rëndësishëm në fushën e punës dhe karrierës. Duhet të mos lënë pas dore fushën e dashurisë, pasi e kanë neglizhuar për disa arsye, por tani vjen momenti për të zgjidhur gjërat e tyre. Përgjatë kësaj jave do të marrin disa vendime të rëndësishme. Janë shumë të preokupuar për të mbyllur disa çështje të së shkuarës, por çdo gjë do të shkojë mbarë. Tani është momenti që çdo gjë zgjidhet dhe çdo gjë arrihet! Në çështjet shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Binjak dhe Virgjëreshë janë perfekte, ndërsa me Peshk kanë një keqkuptim. Dita e martë është idealja për të zgjidhur çështje të rëndësishme.
Bricjapi
Këtë javë kanë shumë mundësi të arta për të bërë më të mirën e tyre. Kanë një mundësi për të zgjidhur çështje të rëndësishme ekonomike. Nga e hëna në të premte kanë ‘semafor jeshil’. Bricjapët kanë patur shumë probleme ligjore dhe ekonomike në të shkuarën, por tani vjen momenti që t’i zgjidhin. Bricjapët janë të ftohtë në aparencë, por të japin ndihmë pa e kërkuar. Në çështjet shpirtërore, lidhjet që kanë të bëjnë me Virgjëreshë dhe Dem janë perfekte. Pak vëmendje duhet të bëjnë me Binjakët, ku mund të kenë disa debate të shtunën apo të dielën.
Ujori
Kanë një mundësi që në këtë javë të nisin një çështje pune, një çështje ekonomike, pasi ka ardhur momenti që të fokusohen tek puna e tyre aktuale dhe duket që çdo gjë do t’a stabilizojnë. Ujorët duhet të kenë kujdes nëse do duhet të firmosin një dokument dhe vetëm sot mund t’a firmosin me sy mbyllur, pasi është një moment i mirë, ndërsa në ditët e tjera mund të kenë pak probleme. Në çështjet shpirtërore, kombinimet më të mira janë me Binjak, Akrep dhe me Luan që mund të ketë martesë dhe një pasardhës.
Peshqit
Disa para të pa marra Peshqit do të kenë mundësi t’i marrin tani. Duke filluar nga sot, e hënë deri ditën e enjte kanë diçka shumë të madhe Peshqit në lidhje me anën e financave dhe kanë një mundësi të artë për të realizuar planet e tyre në fushën punës dhe karrierës. Në çështjet shpirtërore nuk ka vend për t’u shqetësuar. Lidhjet më të mira janë me Binjak, Peshore dhe Bricjap të cilat konsiderohen më të mirat e mundshme.