Lajme

Kumbari i Radoiçiqit, Zvonko Veselinoviq, ikën në Turqi në mes të arrestimeve në Serbi

Zvonko Veselinoviq, biznesmeni serb nga veriu i Kosovës që ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për krim të organizuar, është larguar drejt Turqisë përmes Bosnjës e Hercegovinës.

Sipas burimeve të sigurisë në Bosnjë, të cituara nga Radio Evropa e Lirë, Veselinoviq u largua në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, 11 nëntor, me një fluturim të rregullt nga Sarajeva për në Stamboll, duke përdorur pasaportë serbe. Me të ishte edhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviq, i cili gjithashtu është nën sanksione amerikane për akuza për krim të organizuar dhe korrupsion.

Lajmin e bëri të ditur fillimisht rrjeti hulumtues serb KRIK, i cili raporton se Veselinoviq ka gjetur strehim në Turqi.

Arsyet e largimit të tij nuk dihen. Me aq sa dihet, aktualisht ndaj tij nuk zhvillohet asnjë procedurë penale në Serbi. Largimi ndodh rreth dy javë pas ndryshimit të pushtetit në Serbi, si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit. Policia dhe prokuroria serbe kanë nisur një valë arrestimesh ndaj biznesmenëve dhe zyrtarëve të lidhur me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit dhe të Partisë Përparimtare Serbe, edhe pse qeveria e re ende nuk është formuar.

Kumbari i Radoiçiqit, i mbrojtur për vite në Serbi

Veselinoviq njihet si ish-partner biznesi dhe kumbar i Millan Radoiçiqit, organizatorit të sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Departamenti amerikan i Thesarit e vendosi Veselinoviqin në listën e sanksioneve në fund të vitit 2021. Në dokumentin me të cilin Uashingtoni arsyetoi sanksionet, ai përshkruhet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Radoiçiq si zëvendës i tij. Sipas autoriteteve amerikane, në skemën e korrupsionit përfshiheshin edhe politikanë, të cilët Veselinoviq i ndihmonte gjatë fushatave zgjedhore. Që nga viti 2022, të dy janë edhe nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar.

Në raportet e policisë dhe të shërbimit të sigurisë së Serbisë, të publikuara më herët nga KRIK, Veselinoviq përshkruhet si një nga figurat kryesore të krimit të organizuar serb në Kosovë. Sipas këtyre raporteve, grupi i tij dyshohet se merret me kontrabandë droge, armësh dhe nafte, me fajde dhe me pastrim parash.

Mesazhet nga aplikacioni “Sky”, që KRIK i publikoi para dy vitesh, treguan se ai kishte ndikim në emërimet në policinë serbe dhe se kompania e tij merrte miliona euro nga projektet shtetërore. Sipas KRIK-ut, Veselinoviq ishte i afërt me majat e pushtetit të deritanishëm në Beograd, përfshirë Andrej Vuçiqin, vëllain e Aleksandar Vuçiqit.

Në Serbi ai është akuzuar disa herë për vepra të ndryshme penale, por shumica e proceseve ndaj tij përfunduan me aktgjykime liruese gjatë qeverisjes së Vuçiqit.

I përmendur në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Emri i Veselinoviqit lidhet edhe me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicën e Veriut. Në aktakuzën e Prokurorisë së Kosovës për këtë rast, Veselinoviq dhe Radoiçiq përmenden si udhëheqës të grupit kriminal që planifikoi vrasjen. Megjithatë, ndaj tyre nuk është ngritur aktakuzë.

Autoritetet e Kosovës kishin lëshuar ndaj Veselinoviqit urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar. Opinionisti Agim Sopi ka thënë se nuk beson që Turqia do ta ekstradojë atë në Kosovë.

Sipas KRIK-ut, Turqia është bërë në pesë vitet e fundit një nga vendet kryesore ku fshihen pjesëtarë të grupeve kriminale ballkanike.

Të Ngjashme