Shqipëria dhe Europa nën pushtetin e valës afrikane të të nxehtit, temperatura deri në 38°C dhe rrezik për reshje e breshër në disa zona.
Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet me kthjellime në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa gjatë orëve të mesditës dhe pasdites do të ketë alternime vranësirash mesatare kalimtare, kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje.
Në këto zona priten edhe reshje lokale shiu me intensitet kryesisht të ulët, ndërsa në disa zona malore jugore dhe lindore nuk përjashtohet mundësia e rrebesheve të izoluara dhe breshërit.
Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri në 8 m/s. Sa i përket detit, valëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë i ulët, nga 1 deri në 2 ballë.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb, vala afrikane e të nxehtit që ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës do të vijojë ndikimin e saj edhe në Shqipëri, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura të larta gjatë gjithë paradites.
Megjithatë, pjesa e dytë e ditës do të sjellë grumbullim të vranësirave konvektive në zonat verilindore dhe juglindore, të cilat mund të gjenerojnë rrebeshe të izoluara shiu. Në zonat malore lindore ekziston edhe mundësia e breshërit.
Temperaturat e ajrit do të rriten në orët e mëngjesit, ndërsa në mesditë do të mbeten të larta dhe pothuajse konstante, duke u luhatur nga 13°C, temperatura më e ulët e regjistruar në qarkun e Korçës, deri në 35°C, temperatura maksimale që pritet të shënohet në Shkodër dhe Berat.
Era do të fryjë e lehtë si në tokë ashtu edhe në det, me shpejtësi jo më shumë se 25 km/h, nga drejtimi kryesisht perëndimor, duke bërë që deti të paraqitet pothuajse pa dallgë.
Kosova
Republika e Kosovës do të vijojë të ndikohet nga kjo valë e nxehtë, ndonëse më shumë në periferi të saj. Orët e paradites do të dominohen nga intervale të gjata kthjellimesh dhe temperatura të larta për këtë periudhë.
Gjatë pasdites do të ketë kalime të shpeshta dhe të përkohshme vranësirash, të cilat do të jenë më të dukshme në zonat veriperëndimore, ku ekziston mundësia për reshje të pakta shiu.
Temperaturat e ajrit do të mbeten pothuajse të pandryshuara në mëngjes, por do të rriten në mesditë, duke u luhatur nga 11°C, temperatura minimale në Podujevë, deri në 29°C, temperatura maksimale në Gjakovë dhe Prizren.
Era do të fryjë e lehtë, me shpejtësi deri në 25 km/h, nga drejtimi kryesisht perëndimor.
Maqedonia e Veriut
Territori i Maqedonisë së Veriut do të mbetet nën ndikimin e motit të qëndrueshëm, me kthjellime dhe temperatura të larta gjatë paradites, si pasojë e valës afrikane të të nxehtit që ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës.
Gjatë orëve të pasdites dhe në vijim, pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin, të cilat në mënyrë të pjesshme mund të gjenerojnë reshje të pakta shiu, sidomos në zonat perëndimore.
Temperaturat do të luhaten nga 13°C në Gostivar deri në 30°C në Shkup.
Era do të fryjë e lehtë, me shpejtësi deri në 25 km/h, nga drejtimi kryesisht perëndimor.
Europa
Kontinenti europian do të vijojë të mbetet nën ndikimin e fortë të kupolës afrikane të të nxehtit, duke sjellë dominim të motit të kthjellët dhe temperatura shumë të larta në pjesën më të madhe të Europës.
Vlerat më ekstreme pritet të regjistrohen në Portugali dhe Spanjë, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 37°C dhe 38°C.
Gjithashtu, Britania e Madhe, Europa Qendrore, rajoni i Ballkanit dhe një pjesë e vendeve skandinave do të përballen me temperatura mbi 34°C dhe mot kryesisht të kthjellët.
Përjashtim do të bëjnë Europa Lindore dhe rajoni i Baltikut, ku priten reshje shiu, stuhi dhe erëra të forta si pasojë e kalimit të një sistemi frontal nga verilindja drejt këtyre rajoneve.
