Lajme

“Kur jena te frizerkat”/ Konjufca reagon ndaj lajmeve të rreme – sqaron deklaratën e tij në Ferizaj

Glauk Konjufca ka reaguar ndaj, siç e quan ai, lajmeve të rreme dhe shtrembërimeve të qëllimshme në raport me një deklaratë të tij në Ferizaj.

Ai tha se fjala e përdorur “frizere” është keqinterpretuar nga mediat, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë qëllim ofendues dhe se ka respekt për këtë profesion, përcjell “Bota sot”.

Konjufca theksoi se deklarata e tij nuk ka pasur asnjë lidhje me Vjosa Osmanin, por është nxjerrë jashtë kontekstit për kalkulime politike.

Ai kërkoi ndjesë për çdo keqkuptim të mundshëm, duke e cilësuar rastin si pjesë të një “lufte speciale” dhe dezinformimi.

Postimi i plotë

Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent. Meqë po e vërej qartë se prapa këtij shtrembërimi të qëllimshëm ekzistojnë qindra mekanizma të riprodhimit me një qëllim vërtet të keq. E qëllimi është kontaminimi i skenës politike edhe në hapësirat e fundit.

Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese.

Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë.

Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë

Të Ngjashme