Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar përshpejtimin e procedurave për tunelin Prizren–Tetovë. Këtë çështje e diskutoi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, në Nju Jork.
Sipas Kurtit, tuneli ka rëndësi për qytetarët, zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve. Në takim, ata biseduan edhe për bashkëpunimin në infrastrukturë e energji, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin, transmeton KosovaPress.
“U pajtuam të vazhdojmë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike”, shkroi Kurti.
Takimi u zhvillua gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kurti kujtoi se 4 javë më parë ishte me Mickoskin në nisjen e punimeve për autostradën Shkup–Bllacë.
Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik.
