Kryeministri Kurti përmes një postimi në Facebook ka bërë me dije se është takuar me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë pas marrjes së mandatit.
Ai theksoi progresin që Kosova ka arritur në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe zhvillimin ekonomik gjatë viteve të fundit, përcjell “Bota sot”.
Kurti ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj rrugës evropiane, duke kërkuar që vendi të trajtohet në bazë të meritës për marrjen e statusit kandidat në BE.
Sipas tij, Kosova nuk po kërkon privilegje apo rrugë të shkurtra, por një proces të drejtë dhe meritor
Postimi i plotë
Pata kënaqësinë të mirëpres Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në vendin tonë nga marrja e mandatit.
Gjatë viteve të fundit kemi shënuar progres të rëndësishëm në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe zhvillimin ekonomik.
Kosova mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën evropiane, me besimin që hapi i radhës duhet të jetë dhënia e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim.
Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra e as derë të pasme, vetëm proces meritor.
