Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të nxjerrë një vendim përfundimtar për vdekjen e Astrit Deharit, 10 vjet pas ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Në një deklarim para objektit të Prokurorisë Speciale, Gashi ka përsëritur pretendimin se Astrit Dehari është vrarë, ndërsa ka akuzuar ish-zyrtarë të drejtësisë për përpjekje që rasti të paraqitej si vetëvrasje.
Gashi: Familja Dehari pret epilog nga Prokuroria Speciale
“Ne jemi para institucionit më të rëndësishëm të Republikës sonë, para Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili institucion i ka ingerencat dhe ka detyrën më të rëndësishme që të bëjë hetime për çfarëdo rasti të nivelit të profileve të larta. Familjarët e Astrit Deharit deklaruan se ata presin një epilog nga kjo prokurori dhe besoj që epilogu i vetëm përfundimtar është që Astrit Dehari, bazuar në provat që janë, është vrarë. Astrit Dehari është vrarë fiks para 10 viteve dhe ne e dimë që prokurorë të caktuar atëherë kanë tentuar që, para se të përfundojnë hetimet e para, ta mbyllin rastin si vetëvrasje”, ka deklaruar Gashi.
Avokati ka përmendur ish-kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, ndaj të cilit ka thënë se ka paraqitur kallëzim penal në emër të familjes Dehari.
Gashi: Kallëzimi penal ndaj Sylë Hoxhës ende pa epilog
“Personi i cili para Prokurorisë së Shtetit ka deklaruar se rasti i Astrit Deharit është vetëvrasje ka qenë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Për Sylë Hoxhën, për deklarimet e tilla dhe për tentimin e manipulimit me drejtësinë, unë në emër të familjes së Astrit Deharit kam paraqitur edhe kallëzim penal, i cili, duke qenë se është në duart e kësaj prokurorie, nuk ka ende asnjë epilog deri më tani”, ka thënë ai.
Gashi ka ngritur pretendime edhe për publikimin e incizimeve nga kamerat e sigurisë së burgut të Prizrenit. Ai ka përmendur ish-drejtorin e Klan Kosovës, Baton Haxhiu, duke pretenduar se incizimet ishin publikuar përpara se prokurori i rastit t’i kishte në dispozicion.
Gashi akuzon për manipulim të opinionit përmes publikimit të incizimeve
“Pjesa tjetër që ka qenë shumë e dhimbshme ka qenë tentativa e manipulimit të opinionit përmes gazetarëve të caktuar. Ne e dimë që më herët, saktësisht, janë informata publike që ne i kemi verifikuar se janë të vërteta, se ish-drejtori i Klan Kosovës, zoti Baton Haxhiu, ka marrë një CD me incizime të pjesës së burgut të Prizrenit, saktësisht të korridorit dhe pjesëve të tjera, dhe i ka publikuar për të manipuluar opinionin para se vetë prokurori i rastit t’i ketë”, është shprehur Gashi.
Këto janë pretendime të avokatit dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore për përgjegjësinë e personave të përmendur.
Gashi ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime me prokurorë që janë marrë me rastin, përfshirë edhe prokurorin aktual, nga i cili pret një vendim përfundimtar.
Gashi: Presim që Prokuroria ta thotë të vërtetën në aspektin ligjor
“Unë sigurisht që kam pasur takime të shpeshta edhe me ish-prokurorë, edhe me prokurorin e rastit, për të cilin familja e Astrit Deharit dhe unë si avokat i tyre shpresojmë që më në fund të nxjerrë një vendim për ta thënë të vërtetën në aspektin ligjor, sepse në aspektin faktik, ne e dimë, të gjithë e dinë që Astriti është vrarë”, ka deklaruar ai.
Avokati ka folur edhe për provat që, sipas tij, mbështesin pretendimet e familjes për vrasje, duke përmendur fotografitë e trupit të Deharit dhe ekspertizat e kryera në Zvicër.
Gashi: Në ekspertizat zvicerane është gjetur ADN-ja e një personi të tretë
“Secili që ka pasur mundësi t’i shohë vetëm disa prej fotografive që e tregojnë trupin e Astrit Deharit, ne jemi një miliard për qind të bindur që trupi i Astrit Deharit është prova kryesore me të cilën vërtetohet se Astriti është vrarë. Ne pastaj kemi dokumentacione të tjera të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër, të cilat edhe aspektin teorik të vetëvrasjes së Astrit Deharit e eliminojnë. Në bazë të këtyre ekspertizave të Zvicrës, të cilat kanë kredibilitet të plotë dhe janë të besueshme, gjatë analizimit të provave që janë dërguar, është gjetur edhe ADN-ja e një personi të tretë”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, nëna e Astrit Deharit, Xhemile Dehari, ka shprehur zhgënjimin për zvarritjen e hetimeve, duke thënë se familja vazhdon të presë përgjigje nga Prokuroria.
Ajo ka theksuar se gjatë këtyre 10 vjetëve familja është përballur me një pritje të gjatë dhe të vështirë, ndërsa secili prokuror që ka marrë rastin, sipas saj, i ka nisur hetimet nga fillimi.
Xhemile Dehari: U bënë 10 vjet pritje, ka qenë maltretim për familjen
“U bënë 10 vjet, nuk është një ditë, dy ditë. Ka qenë maltretim për këtë familje. Mirëpo, Prokuroria nuk ka marrë vendim asnjëherë. Jemi 10 vjet në pritje. E kemi pak vështirë si familje, nuk është e lehtë me i kaluar këto. Kur e sheh që Prokuroria nuk po merr kurrfarë vendimi, secili prokuror që po vjen po ia fillon prej fillimit, e ne po i presim deri sa të dalin në pension”, ka deklaruar Xhemile Dehari.
Ajo ka shprehur shpresën se prokurori i ri do të arrijë ta përmbyllë rastin dhe t’i japë familjes përgjigje për rrethanat e vdekjes së Astritit.
Xhemile Dehari: Të kemi një epilog pasi jemi plakë në këtë moshë
“Po shpresoj që ky prokuror që e ka marrë tash është i ri dhe ndoshta bën diçka, e përfundon rastin pa u pensionuar. Madje, të kemi një epilog, ta dimë edhe ne, pasi jemi plakë në këtë moshë. Për me folur për rastin e Astritit ka shumë, sepse është një histori e gjatë. Ka ndodhur vrasja në burg. Po të kishte ndodhur kjo në një vend tjetër, ne do t’i kishim parë përgjigjet dhe do ta dinim se çka ka ndodhur. Ne nuk e dimë se si ka ndodhur, askush nuk ka dhënë përgjigje”, ka thënë nëna e Astrit Deharit.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Xhemile Dehari ka treguar se familja është ftuar para disa ditësh në Prokurori për të diskutuar për rastin.
Ajo ka thënë se kësaj radhe janë ndier më të mirëpritur, por ka theksuar se vlerësimi për punën e prokurorëve do të bëhet vetëm pas rezultateve konkrete.
Xhemile Dehari: Na kanë ftuar në prokurori para disa ditësh, na pritën më mirë, por presim rezultatet
“Unë thashë që para tre ditëve në Prokurori na thirrën me shku me bisedu. Janë të gatshëm me bashkëpunuar me neve, kështu na thanë. Kemi qenë edhe më herët te prokurori Afrim Shefkiu, por nuk na ka pritur kurrë siç duhet, madje dukej sikur na ka përzënë prej aty. Këtu jemi më të kënaqur me pritjen që na kanë bërë. Por, për punën se si do ta bëjnë, do ta shohim rezultatin më pas. Nuk e dimë se çka do të bëhet, si do ta përfundojnë dhe kur do ta përfundojnë. Nuk kanë premtuar kurgjë, nuk kanë dhënë kurrfarë fjale se do ta kryejnë për një kohë të caktuar, sepse as vetë nuk mund ta dinë. Po presim, por nuk e dimë edhe sa do të zgjasë kjo pritje”, ka deklaruar Xhemile Dehari.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej në paraburgim. Dhjetë vjet më vonë, familja e tij vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe përfundimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale.
Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, ka akuzuar ish-prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, se kishte tentuar ta paraqiste vdekjen e të birit si vetëvrasje, vetëm 13 ditë pas ngjarjes në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Dehari: Katër prokurorë e zvarritën rastin deri në pensionim
“Prokurori në atë kohë i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, bënte përpjekje, sigurisht me urdhër të pushtetit të atëhershëm, që brenda 13 ditëve ta paraqiste këtë vdekje si vetëvrasje. Raporti i mjekëve ligjorë të pavarur nga Tirana dhe Besim Latifi nga Prishtina, i cili punon në Londër, kishin sjellë fakte se bëhet fjalë jo për vetëvrasje, por për vrasje. Edhe shumë dëshmi të tjera sjellin fakte për një vrasje. Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i mjekësisë ligjore të Zvicrës, të cilin po ashtu prokurorët e atëhershëm nuk e përfillën. Katër prokurorë, që nga fillimi deri në vitin 2025, e kanë zvarritur këtë lëndë derisa kanë dalë në pension”, ka deklaruar Dehari.
Ai ka shprehur shpresën se ndryshimet në institucionet e drejtësisë dhe angazhimi i prokurorit të ri në Prokurorinë Speciale do të sjellin rezultate në zbardhjen e rastit.
Dehari ka bërë të ditur se më 3 nëntor familjarët kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të Prokurorisë, të cilin e ka vlerësuar si konstruktiv.
Dehari: Shpresojmë që prokurori i ri ta përmbyllë rastin
“Tash aty janë bërë disa ndryshime. Kemi një kryeprokuror tjetër të shtetit, kemi një prokuror në Prokurorinë Speciale që e ka këtë çështje. Ne kemi pasur takime më 3 nëntor. Ka qenë një takim konstruktiv, mund ta quaj, edhe shpresojmë shumë se do të kemi rezultate. Presim të shohim çka do të ndodhë. Ia lëmë përsëri kohës që të shohim se si do të rrjedhë ky proces hetimor dhe si do të përmbyllet”, ka thënë Avni Dehari.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Familja e tij vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe një vendim përfundimtar nga organet e drejtësisë.
