Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se vakuumi i krijuar nga Bashkimi Evropian po synohet të mbushet nga akterë të tjerë dashakeqë, të cilët sipas tij po minojnë vlerat evropiane dhe po rrezikojnë sigurinë e Kosovës.
Këto deklarata Kurti i bëri pas takimit me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos me të cilën tha se kanë diskutuar për procesin integrues të Kosovës dhe avancimin drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
Ai theksoi se mbështetja e qytetarëve të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë rreth 90 për qind, duke e cilësuar si nivelin më të lartë ndër vendet kandidate.
Kurti paralajmëroi se boshllëku i krijuar nga BE-ja po shfrytëzohet nga aktorë të tjerë me qëllime destabilizuese.
“Vakuumi që lë BE-ja po synohet të mbushet nga aktorë të tjerë dashakeqë të cilët i minojnë vlerat e BE-së dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësi e të gjithëve neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se me komisioneren Kos kanë zhvilluar një takim produktiv, ku kanë diskutuar për progresin e Kosovës në ekonomi, sundimin e ligjit dhe reformat evropiane.
Mirëpo, për çfarë rreziku konkret e ka fjalën Kurti kur përmend “aktorë dashakeqë” që mund ta cenojnë sigurinë e Kosovës?
Shala: Mesazhi i Kurtit është se siguria e Kosovës nuk lidhet vetëm me praninë ushtarake të NATO-s
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Ai thotë se deklarata e Albin Kurtit është një paralajmërim se vonesa e integrimit të Kosovës dhe Ballkanit në BE krijon një “vakum” që mund të shfrytëzohet nga Rusia dhe aktorë të tjerë për destabilizim politik, tensione etnike dhe propagandë anti-perëndimore.
Ai thekson se rreziku nuk është vetëm ushtarak, por edhe informativ, ekonomik dhe kibernetik, sepse fuqitë e jashtme mund të ndikojnë në media, opinion publik dhe sektorë strategjikë si energjia, telekomunikimi dhe financat.
“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti nuk duhet lexuar vetëm si mesazh politik ndaj Bashkimit Evropian, por si paralajmërim strategjik për një vakuum gjeopolitik që mund të prodhojë pasoja konkrete të sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kur Kurti përmend “aktorë dashakeqë”, ai në radhë të parë i referohet rrjeteve shtetërore dhe joshtetërore që kanë interes të pengojnë konsolidimin euro-atlantik të Kosovës. Në praktikë, kjo lidhet me tri dimensione kryesore të rrezikut.

Drizan Shala
Së pari, ekziston dimensioni i ndikimit rus përmes Serbisë. Mosintegrimi i shpejtë i rajonit në strukturat evropiane krijon hapësirë për operacione hibride, propagandë, destabilizim politik dhe tensione të kontrolluara etnike. Rusia nuk ka nevojë domosdoshmërisht për konflikt të hapur në Kosovë; asaj i mjafton një krizë e vazhdueshme me intensitet të ulët që konsumon energjinë e NATO-s dhe BE-së. Kjo është parë edhe pas sulmit në Banjskë, ku u dëshmua se strukturat paramilitare dhe rrjetet logjistike mund të aktivizohen shpejt në veri të Kosovës.
Së dyti, vakuumi evropian krijon terren për zgjerim të luftës informative dhe ndikimit psikologjik. Nëse qytetarët humbin besimin tek perspektiva evropiane, rritet hapësira për narrativa anti-perëndimore, radikalizim politik dhe polarizim të brendshëm. Këto operacione zakonisht zhvillohen përmes mediave të kontrolluara, platformave sociale, organizatave të kamufluara civile dhe rrjeteve ekonomike me ndikim politik.
Së treti, ekziston rreziku i infiltrimit të interesave të fuqive të treta në sektorë strategjikë — energji, telekomunikim, financa dhe siguri kibernetike. Kur procesi i integrimit ngec, shtetet e rajonit bëhen më të ekspozuara ndaj investimeve me agjenda gjeopolitike dhe varësi politike afatgjata”, shpjegon eksperti i sigurisë.
Ndër të tjera, ai shton se mesazhi kryesor është se siguria e Kosovës varet jo vetëm nga NATO, por edhe nga integrimi i shpejtë në BE, sepse sa më shumë të zgjasë stagnimi evropian, aq më shumë rritet rreziku që Ballkani të përdoret nga fuqi kundër stabilitetit euro-atlantik.
“Në thelb, mesazhi i Kurtit është se siguria e Kosovës nuk lidhet vetëm me praninë ushtarake të NATO-s, por edhe me shpejtësinë e integrimit politik dhe institucional në Bashkimin Evropian. Sa më i gjatë të jetë stagnimi evropian, aq më e madhe bëhet mundësia që aktorët kundër stabilitetit euro-atlantik ta përdorin Ballkanin si zonë presioni strategjik.
Për këtë arsye, paralajmërimi i tij duhet parë më shumë si një alarm gjeopolitik sesa si retorikë ditore politike”, përfundoi eksperti i sigurisë Drizan Shala për “Bota sot”.
Berisha: Kur Kurti potencon “aktorë dashakeq”, sigurisht që aludohet në ndikime të jashtme
Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë Fidair Berisha në një bashkëbisedim “Bota sot”, thotë se Kurti po paralajmëron se vonesa e integrimit në BE mund të hapë rrugë për ndikime të jashtme destabilizuese, përfshirë tensione etnike, dezinformata dhe rreziqe për sigurinë e Kosovës.

Fidair Berisha
“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti ka të bëjë me shqetësimin se zvarritja e procesit të integrimit evropian mund të krijojë hapësirë për ndikime politike, ekonomike dhe të sigurisë nga shtete që nuk e mbështesin orientimin euro-atlantik të Kosovës.
Kur ai potencon “aktorë dashakeq”, sigurisht që aludohet në ndikime të jashtme që synojnë destabilizimin politik dhe të sigurisë, duke nxitur tensione etnike dhe përhapje të dezinformatave me qëllim përshkallëzimin e situatës së sigurisë”, shprehet ai.
Në fund, eksperti thotë që ideja kryesore është se vonesa e integrimit evropian mund të rrisë frustrimin, polarizimin dhe dobësimin e besimit te institucionet, duke e bërë Kosovën dhe rajonin më të cenueshëm ndaj faktorëve destabilizues të brendshëm dhe të jashtëm.
“Mungesa e progresit drejt integrimit evropian mund të ndikojë edhe në rritjen e frustrimit social dhe politik brenda vendit, duke krijuar terren për polarizim të brendshëm dhe dobësim të besimit në institucionet demokratike. Për këtë arsye, kryeministri Kurti po tenton ta paraqesë integrimin evropian jo vetëm si proces politik dhe ekonomik, por edhe si çështje të sigurisë strategjike për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.
Është fakt se sa më e paqartë të jetë perspektiva evropiane për Ballkanin Perëndimor, duke e përfshirë edhe Kosovën, aq më i madh është rreziku që faktorë të jashtëm, por edhe të brendshëm destabilizues, të realizojnë planet e tyre dashakeqe”, përfundoi eksperti i sigurisë Fidair Berisha për “Bota sot”.
