Ministrja e Mjedisti dhe ish- deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e ka njoftuar zyrtarisht për pushimin e plotë të hetimeve ndaj saj lidhur me rastin e granteve në Ministrinë e Bujqësisë.
Përmes një postimi, Pacolli ka deklaruar se ky vendim, sipas saj, konfirmon që ajo nuk ka pasur ndikim apo ndërhyrje në ndarjen e granteve nga kjo ministri.
Ajo ka thënë se gjatë muajve të fundit është përballur me akuza dhe sulme nga përfaqësues të politikës dhe medias, ndërsa ka theksuar se që nga fillimi ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje.
“E vërteta triumfoi”, ka shkruar Pacolli, duke falënderuar qytetarët që, sipas saj, kanë besuar në integritetin e saj dhe e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
Njoftimin e saj, Pacolli e ka shoqëruar me mesazhin se drejtësia ka fituar, pas vendimit për përfundimin e hetimeve ndaj saj.
