Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar sërish partitë opozitare për bllokim të zgjedhjes së presidentit.
Kurti në një konferencë për media, u ka bërë thirrje atyre që të marrin pjesë në seancën e cila pritet të vazhdojë në orën 19:00.
Ai foli edhe për kandidatet për presidente, Feride Rushiti e Hatixhe Hoxha, të cilat u propozuan mbrëmë nga Lëvizja Vetëvendosje. Për Rushitin, tha se po kërcënohet “një grua që gjithë jetën e ka kaluar në mbrojtje të viktimave”. Ndërkaq, sa i përket 15 nënshkrimeve të LDK-së për president, tha se kjo parti nuk po e tregon emrin, sepse në të kundërtën, do ta tërhiqte kandidaturën e Hatixhe Hoxhës.
Në konferencë për media, të martën pasdite, Kurti tha se opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përveç bllokimit, duke shtuar se sjelljet e tyre janë anti-institucionaliste.
Kurti: Sjelljet e opozitës janë kryekëput jo shtetërore
“Konsideroj se është bërë mjaftueshëm qartë se opozita në Kosovë nuk ka qëllim tjetër përveç se bllokimit. Tash e sa kohë sjelljet e kësaj opozite janë kryekëput jo shtetërore dhe anti institucionaliste. Ajo është e interesuar vetëm një gjë – bllokimin e qeverisjes sonë e cila në mandat ka rezultat historik. Në këto rrethana e gjithë kjo bllokadë opozitare përmes bojkotit të seancave plenare nuk mund të quhet ndryshe përveç mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe vullnetit popullor të shprehur qartë më 28 dhjetor të vitit që lamë pas si asnjëherë më parë më 51.1 për qind për LVV-në”, deklaroi ai.
Kurti tha se dje kanë ftuar diskutim për çështjen e presidentit, meqë nuk po arrin t’i takojë partitë opozitare.
Sipas tij, me tërheqjen e kandidaturës së Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, kanë hapur rrugë për propozime.
Për kandidimin e Feride Rushitit për presidente, e cila udhëheq Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Kurti tha se ka konsensus shoqëror.
Kurti: Kur Rushiti nominohej për çmime prestigjioze, shumë deputetë opozitar mburreshin
“Kur zonja Feride Rushiti nderohej dhe nominohej për çmime prestigjioze dhe ndërkombëtare, shumë deputetë opozitar mburreshin me të përmes postimeve në rrjete sociale. Besoj që i keni parë edhe ju duke lavdëruar Feride Rushitin, deputetet aktuale të Kuvendit të Kosovës. …. PDK lëre që nuk u mjaftua me refuzimin e pozitës së kryeparlamentarit si ofertë me ne, por sot doli pikërisht përmes Vlora Çitakut duke kërkuar tërheqjen e zonjës Rushiti nga kandidimi, merreni me mend. Ua kemi ofruar kryeparlamentarin, kanë thënë jo, e kanë lavdëruar zonjën Rushiti, e propozuar për presidente këta kërkojnë tërheqjen e kandidaturës”, u shpreh ai.
Sipas tij, Rushiti edhe është kërcënuar nga partitë opozitare.
Kurti: Si është e mundur gjithë këto vargje për zonjën Rushiti dje?
“Si është e mundur gjithë ato vargje për zonjën Rushiti nga kjo opozitë dje, e sot nuk e marrin as mundin të vijnë në sallë derisa struken nëpër zyrat e tyre parlamentare. Refuzim që të marrin përgjegjësi e pushtet dhe thirrje të tjerëve për bojkotim të institucioneve. Madje duke dërguar edhe kërcënime ndaj një gruaje që gjithë jetën e ka kaluar në mbrojtje të viktimave. Kjo vërtetë është e turpshme. Unë dua të falënderojë doktoreshën Feride Rushiti për gatishmërinë e saj që vendin ta nxjerrë nga ky ngërç, nga kjo krizë dhe që Kosova të mos shkojë sërish në zgjedhje. Por, kjo duket e pamundur me subjekte politike, liderë partish që e kanë humbur arsyen dhe kanë vendosur inat jo vetëm me ne, por edhe me vet popullin e Kosovës që nuk po i votuan më shumë, e po i votuan gjithnjë e më pak”, shtoi ai.
Teksa foli për biografinë e Feride Rushitit, e propozuar për presidente, ai tha se puna e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 18 mijë përfituesve të viktimave të dhunës seksuale. Tutje, shtoi se Rushiti është “lidere në shoqërinë tonë civile”.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të shkojnë në seancë në orën 19:00.
Kurti: I bëjë thirrje opozitës që të vijë në kuvend
“Unë e kam edhe një herë thirrjen edhe për opozitën, të vijnë në kuvend sepse kuvendi është shtëpia e deputetëve, të ofrojnë zgjidhje sepse këto bllokime nuk qojnë askund, dhe të marrin pjesë siç i kanë votuar qytetarët që përfaqësohen prej tyre sepse nuk i ndihmojnë institucioneve dhe shtetit të Kosovës me bojkot dhe bllokim. Edhe një herë në seancës e orës 19:00, presim në këtë vazhdim të kemi edhe deputetët e opozitës të cilët e kanë vendin në kuvend”, shtoi ai.
Kryeministri Albin Kurti ka komentuar 15 nënshkrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për president. Ai tha se kjo listë me emrat e 15 deputetëve, nuk ishte e specifikuar se për çka është.
Kurti: Letra me 15 nënshkrime do të mund t’i ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale
“Së pari, unë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, jeni dëshmitarë që e kam takuar disa herë, madje shumë herë. Nuk ka pasur asnjëherë, asnjë propozim. Përkundër kësaj kishte vetëm refuzime, unë propozime, ai refuzime. Ndërkaq, sa i përket paraqitjes së djeshme në orët e vona të natës, së pari ata dolën pas seancës, ndërkohë që para seancës nuk e thanë asnjë propozim. Që flet qartë për qëllim. Së dyti, letra me 15 nënshkrime do të mund t’i ofrohej LVV në mënyrë institucionale. Ose te shefja e GP-së, Arbërie Nagavci ose tek unë si kryetar i subjektit politik. Sepse rreth orës 23:00 të natës pasi u ndërpre seanca, dolën me një listë ku ishin emrat e tyre, shumë interesant, nuk shkruante për çka janë ata emra…. Ata emra duhet të vijnë te unë, nëse i kanë 15 nënshkrime për gjysmë aplikim për kandidat duhet të vijnë te unë. Por, duhet ta ketë datën e sotit ajo letër, jo datën e pardjeshit. Mbrëmë është dashur ta ketë datën 27 prill, e kishte 25, sot do të duhej ta kishte datën 28 prill, nuk ka as letër e as datë”, deklaroi ai, derisa shtoi se presidenti nuk votohet në shoqatë të gazetarëve.
Kurti: Presidenti nuk votohet në shoqatë të gazetarëve
“Nuk kam asgjë kundër me ju dhënë juve, por s’kryhet punë ashtu se presidenti nuk votohet në shoqatë të gazetarëve, presidenti votohet në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës. aty duhet me i sjell ata 15 emra dhe ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranonim. Dhe më pastaj po ta kishim emrin e qartë të LDK-së unë do të takoja në këtë rast kandidatën Hatixhe Hoxhën që të kërkoj prej saj që të tërhiqet dhe t’i shtojmë edhe 15 tjerë, se me 15 gjysmë kandidati mund ta bësh aplikim. Dhe ta kemi Feride Rushitin me një kandidat tjetër”, shtoi ai.
Ai theksoi se dje rreth orës 21:00 i ka shkruar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, por që nuk ka marrë përgjigje.
Kurti: Mbrëmë i kam shkruajtur Hamzën dhe Abdixhikut
“Ne nuk e kishim të qartë edhe saktësisht cila ditë është afati i fundit, t’iu them të drejtën, sepse nuk janë të gjithë juristët dhe qytetarët të një mendimi që ora 24 sonte është afati i fundit, e nuk ka qenë mbrëmë. Nuk e dimë. Tash, shumica dërrmuese mendojnë që e kemi edhe sonte, por jo të gjithë. Andaj ne duhej që sa më shpejt të vepronim. Por unë e di që rreth orës 21:00, i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, edhe kryetarit të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje. Nuk më përgjigjen”, tha ai.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se nga LDK po i kërkohet garancë për 66 vota në kuti për president.
Kurti: Kreu i LDK-së thotë a mi garanton ti mua 66 vota në kuti që janë të fshehura aty
“Kryetari i LDK-së nuk tregon se për kë i ka 15 nënshkrime, por thotë a mi garanton ti mu 66 vota në kuti që janë të fshehura aty, se votimi është i fshehtë. 15 nënshkrime pa emër të përveçëm sipër, me datën e pardjeshit ua tregon juve, jo mua. Dhe thotë a mi garanton ti mua 66 vota në kuti. Kjo është totalisht e palogjikshme. Kjo nuk është serioze. Kush dëshiron të bashkëpunojë me LVV-në, duhet ta sjell listën me 15 nënshkrime dhe me emrin për kandidat të LDK-së për president dhe më pastaj atyre 15 nënshkrimeve ja shtojmë edhe 15 të tjera pasi të flas me zonjën Hatixhe Hoxha”, përfundoi ai.
