Lajme

Kurti pas takimit me myftiun Tërnava: Diskutuam edhe për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, projektet e përbashkëta, zhvillimet politike në rajon dhe aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës për popullin e vendit.

Postimi i plotë:

Përherë kënaqësi të pres në zyrë e të takohem me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, i cili dje më uroi për presidenten e re Justina Shiroka Pula, zgjedhja e së cilës shmangu zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe na mundësoi kthimin te stabiliteti institucional.

Diskutuam për bashkëpunimin e mirë dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta, solidaritetin e humanitetin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare, situatën e dinamikat politike në rajon e më gjerë, por edhe për aktgjykimin e padrejtë dhe të pasaktë në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e për punën që na pret për sukses në apel.

Jemi mirënjohës e falënderues për rolin konstruktiv dhe kontributin e çmuar të Bashkësisë Islame të Kosovës për popullin tonë.

Të Ngjashme