Lajme

Kurti premton njësi të përbashkët mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Në fushatën hapëse të Partisë Vetëvendosje, i pari i kësaj partie dhe kandidati për Kryeministër, Albin Kurti premtoi investime miliardëshe në Brezovicë, Rugovë e Bjeshkë të Nemuna, 1 miliard euro shpenzime kapitale, ku përmendi prodhimtarinë dhe ushtrinë dhe krijimin e fabrikës së dronëve e të municioneve.

Ai përmendi qytetin e Ferizajt si një qytet ndërmjet Prishtinës e Shkupit dhe si një qyet të stacioneve të hekurudhave duke theksuar ndërtimin e katër stacioneve në veri të Kosovës.

Kurti: Ferizaj është mesi ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit

“Ferizaj është qytet me traditë e me kulturë. Është qytet i njerëzve patriotë e punëtorë. Por ne e dimë që Ferizaji është edhe mesi ndërmjet Prishtinës e Shkupit. Ferizaji është qytet i hekurudhës. Po, Ferizaji është ky qytet i hekurudhës e stacionit hekurudhor. E sot, katër stacione hekurudhore në veri të Ibrit janë nën kontroll të Republikës së Kosovës. Stacionet hekurudhore nuk i doni vetëm ju, po i duam të gjithë ne. Dhe ato i duam gjithandej nga janë ato stacione. Këto katër që tash e tutje do të jenë nën kontrollin e institucioneve tona shtetërore janë në Zubin Potok, në Zveçan, është Sllatina e Ibrit dhe në Leshak e Leposaviq. Pra, katër stacione hekurudhore janë tash nën kontrollin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai premtoi investime të mëdha strategjike në treg, gazifikim të qymyrit, katër hekurudha të reja, pesë diga të reja, 20 stadiume që ndërtohen ose renovohen. Ai tha se në 1 miliardë euro blerje armatim do t’i bashkangjitën edhe fabrika e dronëve, e municionit, dhe rezerva vullnetare.

Sipas tij me këtë, çdo qytetar i Republikës së Kosovës do t’i kryejë trajnimet verë e dimër, disa javë, dhe do t’i ketë pajisjet prej çizmeve deri tek arma në adresën e caktuar në kazermën e veçantë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kurti: Në mandatin e ri do ta nisim transformimin më të madh ekonomik e insdustrial që është bërë ndonjëherë në Kosovë

“E në mandatin e ri kërkojmë mbështetjen tuaj që ta nisim transformimin më të madh ekonomik e industrial që është bërë ndonjëherë në vendin tonë. Të gjithë ata që do të prodhojnë, kur të marrin kredi investive në banka do ta kenë shtetin e Kosovës garanci, pa nevojë për ta lënë hipotekë tokën, veturën apo shtëpinë. Po ashtu, 1 miliard euro edhe për ushtrinë tonë, ushtrinë që e kemi gjetur me 2200 pjesëtarë, ja kemi shtuar edhe mbi 2700 pjesëtarë, e kemi trefishuar buxhetin, i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit dhe lajmi më i ri që morra vesh të dashur qytetarë është që në fazën e të rekrutuarve të rinj për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për 320 vende, tashmë kanë aplikuar mbi 2000 të reja e të rinj. Rritjen ekonomike e kemi 4%, pra kemi mundësi edhe me shpërndarë mjete sepse ka rritje ekonomike. Rritja ekonomike më së shumti është duke e përjetuar pikërisht sektori privat, që është bërë si kryesor i punësimit, për çka i falënderoj bizneset tona të ndershme e punëtore. Për gjashtë vjet u është dyfishuar qarkullimi, nga 12.5 miliardë në 25 miliardë”, tha ai.

Ai shtoi se ata të cilët kanë zvarritur pasurinë në të kaluarën, duhet ta kthejnë të gjithën në shtetin e Kosovës sepse sipas tij do të themelohet byroja për konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së pajustifikueshme e të paligjshme.

Kurti premtoi se ccdo fshat i madh e grup fshatrash do të ketë implantet e veta të trajtimit të ujërave. Ai thotë se do të vazhdohet me investimet me termocentralin Kosova A dhe B duke e shtuar kapacitetin për së paku edhe 20 vite.

Kurti: Treni do të lidh Prizenin, Ferizajn, Gjilanin dhe Bujanovcin

“Njëkohësisht, do ta intensifikojmë bashkëpunimin me Shqipërinë për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta. Pas bashkimit të tregut të energjisë elektrike përmes bursës shqiptare ALPEX, po vazhdon integrimi rajonal i tregut, paralelisht po bëhen përgatitjet për integrimin e Kosovës në tregun evropian të energjisë. Do të ndërtojmë edhe sisteme të reja të ngrohjes qendrore dhe do t’i dyfishojmë kapacitetet e mbushshmërisë për ngrohjen qendrore në Prishtinë, ndërkaq gjatë mandatit, pa vonesa fillon puna për ngrohje qendrore në qytetet Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Fushë Kosovë, Podujevë dhe Lipjan. Në mandatin e ri do të fillojmë me ndërtimin e linjës hekurudhore Gjakovë-Shkodër, në kuadër të asaj Prishtinë-Durrës, dhe gjithashtu do ta projektojmë linjën hekurudhore që e lidh Prizrenin me Ferizajin, me Gjilanin dhe me Bojanocin. E përgatisim linjën Prishtinë-Aeroport dhe përfundon linja hekurudhore 10, Hani i Elezit, që kalon nëpër Ferizaj, për në Fushë Kosovë, për Mitrovicë, për Leshak”, u shpreh ai.

Kurti gjatë fushatës tha se me krijimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës do të ketë mision mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Republikës përmes sigurimit të kufijve

Kurti premton njësi të përbashkët mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë

“Do ta forcojmë ushtrinë tonë, sepse duam të integrohemi në NATO, ku edhe do të përfitojmë, edhe do të kontribuojmë. E në frymën e idealeve të dëshmorëve të kombit, të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë e veteranë, do ta krijojmë një njësi të përbashkët: Forca e Sigurisë së Kosovës me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Do ta mundësojmë edhe kalimin e profesionistëve ushtarakë nga mërgata me origjinë nga Kosova, dhe nga profesionistët ushtarakë të Shqipërisë, që të shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku synimi ynë është që deri në fund të mandatit 411 gra e vajza që sot që po flasim shërbejnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ky numër të rritet për dy herë e gjysmë dhe ta kalojë shifrën prej 1.000”

Ai shton se për ushtrinë e Kosovës, do të ketë jo vetëm fuqizim me rritjen e numrit të pjesëtarëve që sivjet i kalon 5.000 por edhe shtimin e armatimit modern.

Të Ngjashme