Lajme

Kurti takon kryeministrin e Kroacisë, flasin për Gjykatën Speciale

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ditën e ka nisur me një takim me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë dhe tregtisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti e ka cilësuar Kroacinë si shtet partner të Republikës së Kosovës dhe popullin kroat si popull mik.

Ai ka thënë se përveç bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, synimi është thellimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet dy vendeve.

Postim i plotë:

Sot ditën e nisëm me takimin me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, shtetit partner të Republikës dhe popullit mik të Kosovës.

Krahas sigurisë dhe mbrojtjes, fusha në të cilat veçse kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, synojmë thellimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare. Gjatë këtij viti, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 5.4% në tremujorin e parë dhe 4.1% në tremujorin e dytë. Përveçse rritje të qëndrueshme të ekonomisë, që këtë vit pritet të tejkalojë në 12 miliardë euro nga 7 sish sa ishte në vitin e parë të qeverisjes sonë, kemi forcuar sundimin e ligjit sikurse kemi shënuar përparim demokratik.

Si dy vende që kanë luftuar për çlirim e pavarësi nga i njëjti regjim, si ai i Millosheviqit, dihet mirëfilli se kush ka kryer krime në katër luftërat në ish-Jugosllavi. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës ka qenë e pastër dhe çlirimtare karshi regjimit gjenocidal të Serbisë. Prandaj, theksova se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, përveçse i pasaktë, është i padrejtë dhe i rëndë.

Krahas mohimit e fshehjes krimeve të kryera në Kosovë, Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura dhe klasifikuara arkivat e saj, hapja e të cilave është thelbësore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të vërtetën dhe për drejtësinë. Në anën tjetër, fqinji verior, në mënyrë sistematike, vazhdon spastrimin etnik administrativ ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës nëpërmjet pasivizimit të adresave dhe përjashtimit nga institucionet.

Me Kroacinë kemi rritur bashkëpunimin ushtarak edhe në fushën e mbrojtjes, për çka shpreha vlerësimin tim në takim. Duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut, falënderova Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon.

Të Ngjashme