Lajme

Kurti takon të dërguarën britanike për Ballkanin, flasin për Kosovën dhe UÇK-në

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.

Sipas Kurtit, në takim u diskutua për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Kurti shprehu gjithashtu shqetësimin për vendimet e shkallës së parë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara, duke thënë se pret që në apel të adresohen, siç u shpreh ai, padrejtësitë dhe mangësitë e aktgjykimit.

Postimi i plotë:

Sot u takova edhe me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Biseduam për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.

E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi.

Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce.

Meqë nesër Dame Karen feston ditëlindjen, pata kënaqësinë t’ia uroja paraprakisht dhe t’i dhuroja një kujtim nga Republika e Kosovës.

Të Ngjashme