Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar qytetarët që jetojnë jashtë vendit të regjistrohen në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Përmes një video-adresimi të publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook, Kurti u bëri thirrje mërgimtarëve që nuk kanë mundësi të vijnë fizikisht në Kosovë për të votuar, që të aplikojnë sa më shpejt për regjistrim.
“Nga sot nis sërish procesi tejet i rëndësishëm i regjistrimit të votuesve që votojnë nga jashtë vendit. Andaj, të gjithë ata që nuk mund të vijnë në Kosovë për të votuar fizikisht duhet ta bëjnë regjistrimin sa më parë”, tha Kurti.
Afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora ka nisur më 6 maj dhe do të zgjasë deri më 17 maj.
