Lajme

Kurti u bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen më 8 nëntor.

Kurti ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të shqiptarëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ai ka siguruar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës,

Nesër, më 8 nëntor, 37.759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Katër lista zgjedhore, me gjithsej 107 kandidatë, garojnë për 29 vende në këtë institucion përfaqësues.

Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022. Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive.

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka autorizime publike në arsim, kulturë, informim dhe përdorimin zyrtar të gjuhës e shkrimit shqip. Nga shkolla shqipe e tekstet mësimore, te institucionet kulturore, mediat në gjuhën shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar.

Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Me tekste mësimore, bursa për nxënës e studentë, mbështetje për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.

Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj.

Për të drejta të barabarta dhe për të ardhmen në vendlindje!

Të Ngjashme