Lajme

Kurti uron 28 Nëntorin: Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli

Kryeministri Albin Kurti ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, duke rikujtuar përpjekjet historike që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka sjellë në vëmendje telegramet e shkëmbyera ndërmjet atdhetarëve dhe qyteteve shqiptare gjatë nëntorit të vitit 1912, duke i cilësuar ato si dëshmi të angazhimit të përbashkët për pavarësi.

Ai ka veçuar telegramin e Ismail Qemalit, të dërguar nga Vjena më 9 nëntor 1912, përmes të cilit njoftonte se e ardhmja e Shqipërisë ishte siguruar.

Kurti ka rikujtuar edhe rrethanat e vështira në të cilat po zhvilloheshin përgatitjet për shpalljen e pavarësisë, mes kërcënimeve të ushtrive të huaja dhe përpjekjeve të shqiptarëve për bashkim.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se shpallja e pavarësisë nuk ishte vetëm vepër e figurave të mëdha historike, por edhe rezultat i kontributit të shumë qytetarëve të zakonshëm.

“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri, nëpër zjarre betejash të panumërta dhe në fund nga një zyrë telegrafike në tjetrën, që një ditë nëntori të shohim atë Flamur të ringrihet pas 469 vjetësh, po më 28 nëntor, mbi një godinë të Vlorës, ashtu si ishte ngritur dikur në kështjellën e Krujës së Skënderbeut”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri e ka përmbyllur mesazhin e tij me urimin për festën e 28 Nëntorit.

Të Ngjashme