Lajme

28 Nëntori bashkon krerët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vlorë, nderohet 114-vjetori i Pavarësisë

Vlora është kthyer sot në qendër të festimeve për 28 Nëntorin, ku pranë Monumentit të Pavarësisë është mbajtur ceremonia e ngritjes së flamurit kombëtar, në shënim të 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë ngjarje morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve shqiptare, presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe qytetarë.

Ceremonisë iu bashkuan edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, dhe kryeministri Albin Kurti.

Aktiviteti nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar, ndërsa më pas krerët e shtetit vendosën kurora me lule pranë Monumentit të Pavarësisë, në nderim të atyre që kontribuuan në rrugën historike të shqiptarëve drejt lirisë dhe shtetësisë.

Vlora mbetet simbol i kësaj date historike, pasi më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke ngritur flamurin kombëtar dhe duke shënuar një kthesë të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

114 vjet më pas, 28 Nëntori vazhdon të kremtohet si Dita e Flamurit dhe një prej festave më të rëndësishme për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në trevat e tjera shqiptare dhe në diasporë.

Të Ngjashme