Lajme

“O fushë-kuq, o shkabë-zi!”, deputeti i VV-së uron 28 Nëntorin me vargjet e Fan Nolit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Baloku, ka uruar shqiptarët kudo që ndodhen me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

Përmes një mesazhi në Facebook, Baloku e ka cilësuar këtë ditë si një nga më të bekuarat e kulturës, traditës dhe historisë shqiptare, duke rikujtuar figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe sakrificën e heronjve për atdheun.

“Ju ftoj që sot t’u këndojmë heronjve tanë, të flasim për ta, të kujtojmë veprat e tyre më fisnike e sidomos veprën sublime: dhënien e jetës për atdheun, për idealin dhe për shenjën e lavdishme të kombit”, ka shkruar ai.

Baloku ka theksuar se festa duhet të kremtohet edhe në të ardhmen me përkushtim të shtuar, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët për brezat e ardhshëm.

“Na mbetet të angazhohemi së bashku për brezat e ardhshëm, në ditë gëzimi e në ditë sfidash. Të mos e harrojmë idealin dhe fjalët që kemi pasur dikur”, ka theksuar deputeti.

Në fund, ai ka përcjellë urimin e tij për 28 Nëntorin, duke cituar vargje kushtuar flamurit kombëtar dhe poetin Fan Noli.

Të Ngjashme