Lajme

Kush do ta formojë qeverinë? Partitë politike japin sinjalet e para

Kosova po hyn në një fazë të re politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat prodhuan sërish një fitues, por jo një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti doli forca e parë me rreth 43 për qind të votave, ndërsa PDK u rendit e dyta me rreth 21 për qind, LDK e treta me 18 për qind dhe AAK-ja me mbi 7%.

Megjithatë, shifrat zgjedhore nuk e kanë zgjidhur ngërçin politik që ka përcjellë vendin muajt e fundit, pasi asnjëra palë nuk i ka votat e nevojshme për të formuar e vetme institucionet e reja.

“Front Online” ka kontaktuar disa nga akterët e partive politike për të mësuar qëndrimet rreth formimit të qeverisë së re dhe koalicioneve të mundshme mes pozitës dhe opozitës.

Haliti i LVV-së: Opozita mund ta propozojë presidentin, LVV-ja do ta mbështesë

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti ka folur për “Front Online” lidhur me mundësinë e bashkëpunimit me partitë opozitare pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas tij, LVV-ja mbetet e hapur për bashkëpunim edhe pas zgjedhjeve.

“Besoj që vlen ashtu siç ka qenë edhe në mandatin e kaluar, LVV ju ka bërë ftesë e LDK edhe bashkëqeverisje dhe ju ka kërkuar që të propozojnë emër për president por dëshira e tyre ishte të shkojmë në zgjedhje ato nuk prodhuan asnjë rezultat ndryshe”, ka thënë Haliti.

Ai tha se do t’ju ofrojnë partive opozitare mundësinë për të propozuar kandidat për president.

“LVV do të ofrojë mundësinë që partitë opozitare të emra për president dhe ne do të jemi të gatshëm ta mbështesim”, u shpreh Haliti.

Bashkëqeverisje me LVV-në? Vjen përgjigjja nga PDK-ja

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se është ende herët për të diskutuar zhvillimet dhe skenarët politike pas zgjedhjeve.

E pyetur për mundësitë e bashkëpunimeve politike me Lëvizjen Vetëvendosje, Musliu-Shoshi tha se fillimisht duhet të priten rezultatet e përgjithshme.

“Është herët të bisedojmë le të presim se çka po bëhet pas rezultateve të përgjithshme”, tha shkurt Musliu-Shoshi.

Të Ngjashme