Lajme

“Kush e minoi Kosovën nga brenda?”, Geci i drejtohet me akuza të rënda Arian Tahirit

Analisti Halil Geci, ka reaguar me tone të ashpra ndaj një deklarimi të zyrtarit të PDK-së, Arian Tahirit, duke e akuzuar atë se po flet për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, por po shmang përgjegjësitë për zhvillimet që, sipas tij, kanë ndodhur pas vitit 2008.

Në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Geci përdor gjuhë të ashpër ndaj Tahirit, duke e pyetur se kush, sipas tij, “ia vuri minat shtetit dhe kush e minoi atë nga brenda”.

Ai përmend disa prej zhvillimeve më të debatueshme politike të pasluftës, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, marrëveshjet kufitare me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe çështjen e Gjykatës Speciale.

“Ky ‘Lopari i Mitrovicës’ po na tregon se kush e shpalli Pavarësinë e Kosovës, por nuk po na tregon kush ia vuri minat shtetit dhe kush e minoi atë nga brenda”, shkruan Geci.

Më tej, ai ngre pretendime dhe akuza të rënda ndaj figurave të ish-udhëheqjes politike, duke kërkuar përgjigje se kush, sipas tij, ka mbështetur projekte për ndarjen e Kosovës dhe cenimin e integritetit territorial.

Geci përmend edhe pretendime për pagesa ndaj lobuesit amerikan James Rubin, duke deklaruar se duhet të sqarohet roli që kanë pasur individë të caktuar në këto zhvillime. Këto pretendime janë pjesë e akuzave politike të ngritura ndër vite dhe nuk paraqiten nga Geci me prova të reja në këtë reagim.

Në shkrim, ai kritikon edhe marrëveshjet për mbrojtjen e objekteve fetare serbe, duke pretenduar se ato kanë cenuar interesat e Kosovës.

Një pjesë e reagimit të Gecit i kushtohet edhe Gjykatës Speciale. Ai pyet se kush e themeloi këtë institucion dhe pse, sipas tij, ish-udhëheqës të UÇK-së e mbështetën atë.

“Pse nuk na tregon ‘zagari’ pse Polari e themeloi Gjykatën Speciale dhe pse mori me vete edhe shokët e tij, të cilët i besuan”, shkruan Geci.

Në fund, analisti kërkon që debati politik të mos kufizohet vetëm te roli i individëve në shpalljen e Pavarësisë, por të përfshijë edhe përgjegjësitë për zhvillimet e mëvonshme.

“Para se të na mbash leksione për Pavarësinë, na trego edhe historinë e asaj që ndodhi pas saj. Sepse qytetarët nuk duan vetëm të dinë kush e shpalli Pavarësinë. Duam të dimë edhe kush e minoi shtetin, kush e dobësoi dhe kush përfitoi prej tij”, ka shkruar Geci.

Shkrimi i plotë:

KY ZAGARI I PDK-SË PO NA TREGON KUSH E SHPALLI PAVARËSINË, POR JO KUSH E MINOI SHTETIN!

Ky „Lopari i Mitrovicës“ po na tregon se kush e shpalli Pavarësinë e Kosovës, por nuk po na tregon kush ia vuri minat shtetit dhe kush e minoi atë nga brenda.

Nuk po na tregon kush e bëri hapin e parë drejt shkëputjes së Zajednicës me kompetenca ekzekutive; kush i krijoi 10 fshatra me nga rreth 2 mijë banorë si komuna me shumicë serbe; kush ndau para nga fondi i shtetit për të lobuar për ndarjen dhe cenimin e integritetit territorial të Kosovës.

Nuk po na tregon zagari as pse, sipas akuzave të bëra ndër vite, Polari e paguante Xhems Rubinin me 52 mijë euro në muaj për ta ndihmuar projektin e ndarjes së Kosovës.

Nuk po na tregon „zagari“ kush ia fali Serbisë 40 kisha shqiptare, duke u dhënë mbrojtje juridike dhe karakter ekstraterritorial.

Nuk po na tregon „zagari“ kush ia fali Malit të Zi 8.226 hektarë tokë dhe Maqedonisë së Veriut rreth 3.000 hektarë tokë.

Nuk po na tregon ky „zagar“ se për kë ka punuar Polari kur, sipas akuzave që i janë bërë në Hagë, ka vrarë atdhetarë të LDK-së me porosi. Nga kush e merrte porosinë?

Nuk po na tregon pse Polari e themeloi Gjykatën Speciale dhe pse mori me vete edhe shokët e tij, të cilët i besuan.

Dhe, mbi të gjitha, pse nuk na tregon zagari se si Polari dhe njerëzit e tij u bënë multimilionerë e miliarderë?

Pse nuk na tregon „zagari“ se çfarë roli keni pasur ju dhe gjeneralët e Hashimit në gjithë këto histori? Pse keni lehur dhe vazhdoni të lehni pandërprerë nga koliba e Serbisë për Serbinë, ndërsa veprimet tuaja janë parë hapur se i shërbejnë interesave të kundërshtarit?

Prandaj, para se të na mbash leksione për Pavarësinë, na trego edhe historinë e asaj që ndodhi pas saj.

Sepse qytetarët nuk duan vetëm të dinë kush e shpalli Pavarësinë.

Duam të dimë edhe kush e minoi shtetin, kush e dobësoi dhe kush përfitoi prej tij.

Ki mendjen, Arian Tahir, o zagar! Ti nuk je askushi; je vetëm një fëmijë i gjorë që leh në favor të Serbisë, me pak pushtet që ta ka dhënë PDK-ja.

Të Ngjashme