Lajme

Kush e vrau Bardhyl Ajetin? Pas 21 vjetësh, drejtësia ende pa përgjigje për një nga krimet më të rënda të pasluftës

Edhe më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumë nga vrasjet e pasluftës vazhdojnë të mbeten të pazbardhura. Përkundër kalimit të viteve, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje për një numër të madh rastesh që tronditën opinionin publik dhe lanë pas shumë pikëpyetje.

Në mesin e këtyre krimeve të pazgjidhura është edhe vrasja e gazetarit dhe kolumnistit të gazetës kombëtare “Bota Sot”, Bardhyl Ajeti. Sot, më 3 qershor, shënohen 21 vjet nga atentati ndaj tij, një ngjarje që vazhdon të mbetet pa epilog gjyqësor.

Më 3 qershor 2005, Ajeti u qëllua me armë zjarri në Bresalc të Gjilanit, duke mbetur i plagosur rëndë. Pas një beteje për jetën, ai ndërroi jetë në Milano të Italisë si pasojë e plagëve të marra në atentat.

Edhe sot, pas 21 vjetësh, autorët dhe motivet e këtij krimi nuk janë zbardhur plotësisht. Heshtja dhe mungesa e rezultateve nga institucionet e drejtësisë vazhdojnë të nxisin dyshime dhe shqetësime, ndërsa vrasja e Bardhyl Ajetit mbetet një nga sulmet më të rënda ndaj fjalës së lirë dhe gazetarisë në Kosovën e pasluftës.

Dajaku: Vrasja e gazetarëve ishte pjesë e agjendës së atyre që synonin të kapnin pushtetin me çdo çmim

E në këtë përvjetor të vrasjes së Bardhyl Ajetit, për “Bota sot” foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai i të ndjerit Besim Dajaku, i vrarë në atentatin e organizuar 24 vite më parë ku humbi jetën edhe gazetari i “Bota sot”, Bekim Kastrati.

Si fillim, Dajaku vlerësoi lartë punën dhe guximin e të ndjerit Ajeti, ku tha se ishte ndër të paktët gazetarë që trajtonte tema tabu dhe të rrezikshme për atë kohë.

Image
Xhevat Dajaku, vëllai i të ndjerit Besim Dajaku, i vrarë në atentatin e organizuar 24 vite më parë ku humbi jetën edhe gazetari i “Bota sot”, Bekim Kastrati.

Në këtë rast, ai përmendi edhe disa gazetarë të tjerë që u vranë, vetëm për shkak të guximit dhe publikimit të së vërtetës.

“Bardhyl Ajeti ishte një gazetar i guximshëm, i cili u qasej temave që për shumë kolegë të tij ishin tabu dhe të rrezikshme. Ai trajtonte çështje që mund të sillnin pasoja të rënda, ashtu siç përfundoi tragjikisht edhe vetë jeta e tij.

Një fat të ngjashëm patën edhe gazetarë të tjerë që u vranë ose u masakruan, si Ali Uka, Enver Maloku, Shefki Popova, Bekim Kastrati dhe të tjerë. Të gjithë këta gazetarë u treguan të guximshëm në kërkimin dhe publikimin e së vërtetës. Pikërisht kjo i pengonte ata që luftonin për pushtet duke përdorur mjete kriminale dhe struktura të nëntokës. Ata nuk e duronin dritën që hidhnin gazetarët mbi veprimtaritë e tyre, mbi gjurmët dhe kanalet e veprimit që kishin lënë pas.

Prandaj, vrasja e gazetarëve ishte pjesë e agjendës së atyre që synonin të kapnin pushtetin me çdo çmim, për ta shfrytëzuar më pas atë në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme për përfitime personale”, deklaroi ai.

Me këtë rast, Dajaku tha se moszbardhja e vrasjes së Ajetit dhe rasteve të ngjashme është një njollë e zezë për drejtësinë.

Madje, sipas tij, pas vrasjes së pasluftës qëndrojnë struktura të fuqishme kriminale.

“Zbardhja e vrasjes së Bardhyl Ajetit dhe e rasteve të tjera të ngjashme mbetet një hendek i madh në drejtësi, një temë e ndjeshme dhe shpesh tabu për institucionet përgjegjëse. Kjo, sipas shumë vlerësimeve, lidhet me dyshimet se pas këtyre vrasjeve qëndrojnë struktura të fuqishme kriminale, të cilat kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe kanë pasur lidhje me nivele të larta të pushtetit politik e shtetëror.

Një pjesë e individëve të dyshuar për krime të rënda gjenden sot në Hagë, ku po përballen me procese gjyqësore. Ndërkohë, kemi parë se një pjesë e shoqërisë, e politikës dhe e opinionit publik shpesh është pozicionuar kundër proceseve të drejtësisë dhe në mbështetje të të dyshuarve për krime ndaj bashkëkombësve të tyre”.

Më tej, ai foli edhe për skemën e krimit të organizuar, nga vendimarrësit e deri te ekzekutorët e këtyre vrasjeve.

Në këtë pikë, ai përmendi edhe dëshmitarë, ku vlerëson se në shumë raste kanë përfunduar në rrethana të ngjashme me viktimat.

“Skema e një krimi të organizuar zakonisht përfshin disa hallka: vendimmarrësit dhe urdhëruesit, financuesit, planifikuesit dhe ekzekutorët. Edhe nëse zbulohet ekzekutori, ai jo domosdoshmërisht zbulon motivet, urdhëruesit apo qëllimet e vërteta të krimit. Pikërisht aty shpesh ndërpritet zinxhiri i zbardhjes së plotë të ngjarjes. Për më tepër, në shumë raste është supozuar se vrasësit me pagesë janë eliminuar më vonë, duke vështirësuar edhe më shumë zbulimin e së vërtetës.

Shpresa e vetme mbetet që dikush nga hallkat e tjera të këtij zinxhiri kriminal të vendosë të flasë dhe të tregojë atë që di. Dëshmitarët, në shumë raste, kanë përfunduar në rrethana të ngjashme me viktimat, gjë që ka bërë që shumë persona të tërhiqen nga dëshmia për shkak të frikës dhe rrezikut.

Sipas këtyre pretendimeve, strukturat kriminale kanë arritur të depërtojnë dhe të sistemohen brenda institucioneve shtetërore, duke i përdorur ato për të realizuar veprimtaritë e tyre me pak ose aspak pengesa. Si shembull, fakti se ish-pjesëtarët e SHIK-ut kanë mbajtur ose vazhdojnë të mbajnë pozita në institucione të ndryshme të vendit”, përfundoi Xhevat Dajaku për “Bota sot”.

Mehmeti: Vrasja e Bardhylit hyn te vrasjet e pasluftës

Image
Faton Mehmet

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti, potencoi se vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti hyn te vrasjet që kanë ndodhur pasluftës.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se, vrasja e Ajetit ka qenë politike dhe është fatkeqësi që nuk është zbardhur rasti ende.

“Vrasja e Bardhylit hyn te vrasjet e pasluftës, kur janë vrarë edhe njerëz të LDK-së. Pra, ka qenë e njëjta linjë e vrasjeve, e njëjta strukturë mafioze, që ka eliminuar figura kryesore, të cilat kanë qenë mbështetëse të presidentit Rugova. Pra, vjen nga ata që kanë bërë çmos për ta dobësuar LDK-në, veçanërisht për ta dobësuar presidentin Rugova dhe për të ardhur në pushtet.

Pra, ka qenë një strukturë politike në prapavijë, e cila për synim ka pasur që në të ardhmen të vijë në pushtet. Kështu që edhe kjo vrasje e Bardhylit është politike dhe sigurisht që është fatkeqësi që nuk është zbuluar ende”, deklaroi ai.

Pavarësisht kësaj, Mehmeti u shpreh optimist se, në të ardhmen do zbulohen personat që kanë kryer vrasjet e pasluftës, përfshirë vrasjen e gazetarit Ajeti dhe se do marrin dënimin e merituar.

“Mirëpo, nëse dënohen njerëzit që i kanë kryer vrasjet e pasluftës, qoftë në Hagë apo në Kosovë, kudo që të dënohen, dihet pak a shumë se të njëjtit njerëz janë të përfshirë edhe në vrasjen e Bardhylit.

Megjithatë, në këtë rast, besoj se në të ardhmen do të dalin në pah këto vrasje që kanë ndodhur pas luftës dhe njerëzit që i kanë kryer do ta marrin dënimin e merituar”.

Në fund, analisti shtoi se, vrasja e Bardhylit ka qenë edhe një goditje e rëndë për “Bota sot”, mirëpo kjo e fundit nuk u dorëzua para shantazheve dhe presioneve dhe ka qëndruar në vazhdimësi krah të vërtetës.

“Rrjedhimisht, vrasja e Bardhylit ka qenë edhe një goditje direkte për gazetën Bota Sot, e cila ka qenë e vetmja që pas luftës ka qëndruar në krah të presidentit Rugova dhe të së vërtetës. Prandaj, kjo ka qenë edhe një tentativë për ta ndaluar fjalën e lirë dhe Bota Sot-in, e cila, përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, nuk është ndalur asnjëherë; madje u ka qëndruar dhe u ka bërë ballë presioneve dhe shantazheve”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Të Ngjashme