Sot, në një sallë të mbushur me dhimbje, drejtësia foli.
Vrasësit e Liridona Ademajt, të cilët kryen një krim monstruoz në vitin 2023, morën dënimin që merituan për aktin e tmerrshëm që tronditi jo vetëm familjen e saj, por gjithë shoqërinë kosovare.
Në një atmosferë të ngarkuar emocionale, ku të pranishëm ishin familjarët e viktimës, gazetarë e policë, kryegjyqtarja Fatime Dërmaku shpalli vendimin. Dënimi për Naim Murselin dhe Granit Plavën ishte i përjetshëm, ndërsa për Kushtrim Kokallën, 30 vjet burg.
Me duar që i dridheshin nga emocionet, gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore, kumtoi vendimin që dënonte kriminelët që organizuan vrasjen e tmerrshme të Liridonës, në sy të dy fëmijëve të saj të pafajshëm.
“Gjykata Themelore në Prishtinë pas këshillimit dhe votimit sot, në emër të popullit merr dhe publikisht shpall këtë aktgjykim. I akuzuari Naim Murseli me të dhëna sikur në shkresat e lëndës, është fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”. I akuzuari Granit Plava është fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”. I akuzuari Granit Plava është fajtor për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I akuzuari Kushtrim Kokalla është fajtor për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale, vrasje e rëndë”, tha Dermaku.
“Andaj Gjykata në bazë të dispozitave ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të akuzuarit i gjykon: Naim Murseli dhe Granit Plava ju shqipton dënim me burgim të përjetshëm. Të akuzuarin Kushtrim Kokalla, i shqiptohet dënim prej 30 vitesh”, shtoi ajo.
Në momentin e shqiptimit të aktgjykimit, e gjithë salla duartrokiti, ndërsa familjarët e të ndjerës u përqafuan me lot në sy.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj pas dënimit tha se vendimi shkon për motrën e ndjerë dhe fëmijët e saj të cilët nuk do ta shohin përjetësisht nënën. Ndërsa babai i saj, Hajdar Ademaj theksoi se këtë ditë e ka pritur prej kohësh.
Sot, familjarët e saj morën një pjesë të drejtësisë, ndonëse dhimbja për humbjen mbetet e pa shuar.
