Sipas rezultateve preliminare, pa përfshirjen e votave me kusht dhe atyre të diasporës, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në shumicën e komunave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.
Bazuar në grafikun e votave në faqen zyrtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kryeson në 21 komuna: Mitrovicë e Jugut, Prishtinë, Vushtrri, Obiliq, Fushë Kosovë, Ferizaj, Lipjan, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Viti, Kamenicë, Podujevë, Shtime, Kaçanik, Han i Elezit, Prizren, Dragash, Rahovec, Klinë dhe Suharekë, transmeton “Bota sot”.
Ndërkohë, PDK është e para vetëm në tri komuna: Malishevë, Drenas dhe Skenderaj.
AAK kryeson në dy komuna, Junik dhe Deçan.
Ndërsa LDK është e para vetëm në një komunë, në Istog.
