Lajme

Kushtetuesja konstaton se gjykatat vepruan drejt kur ia refuzuan ish-pjesëtarit të Policisë kthimin në vend pune pas dorëheqjes për studime të doktoratës

Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar si të papranueshme kërkesën e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Xhevat Podrimqaku kundër aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të cilat pamundësuan kthimin në vendin e punës pas dorëheqjes.

Sipas vendimit të Kushtetueses, nga shkresat e lëndës rezulton se Podrimqaku kishte qenë zyrtar policor në Policinë e Kosovës, në Ekipin Hetimor të Njësisë për Menaxhimin e Autostradave, deri më 8 shtator 2017, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më 8 shtator 2017, ai kishte paraqitur dorëheqje vullnetare për arsye personale, konkretisht për të vazhduar studimet e doktoratës. Kërkesa ishte bazuar në Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 07/2012, që ishte në fuqi në atë kohë, dhe ishte aprovuar nga Policia me vendim të 13 shtatorit 2017, me efekt nga data e dorëheqjes.

Më 21 gusht 2019, brenda afatit dyvjeçar nga dorëheqja, parashtruesi kërkoi edhe dy vite shtesë për përfundimin e doktoratës, me mundësinë që të rikthehej në punë në Polici jo më vonë se 8 shtatori 2021.

Kurse më 27 gusht 2019, Policia e Kosovës e refuzoi kërkesën, duke arsyetuar se sipas UA nr. 02/2018, i cili kishte hyrë ndërkohë në fuqi, nuk parashihej më e drejta e ripunësimit për ish-zyrtarët policorë që japin dorëheqje vullnetare.

Parashtruesi paraqiti ankesë në Komisionin e Ankesave të Policisë, por më 19 shtator 2019 ankesa u hodh poshtë si e palejuar, me arsyetimin se vendimi i Drejtorisë së Personelit ishte përfundimtar në procedurë administrative dhe se ai mund të hapte konflikt administrativ në Gjykatë.

Më pas, ai ushtroi padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar anulimin e vendimit dhe rikthimin në punë. Sipas tij, UA nr. 07/2012 i garantonte të drejtën e ripunësimit pas shkollimit.

Më 17 qershor 2022, Gjykata Themelore e refuzoi padinë si të pabazuar, duke vlerësuar se me dorëheqje marrëdhënia e punës kishte përfunduar dhe se Policia nuk kishte detyrim ligjor për ta ripunësuar. Sipas saj, ripunësimi ishte vetëm mundësi diskrecionale e Policisë dhe jo obligim.

Parashtruesi u ankua në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje procedurale dhe zbatim të gabuar të ligjit. Më 20 nëntor 2024, Apeli e refuzoi ankesën dhe e vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë.

Më pas, parashtruesi paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar në zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe duke iu referuar praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtat e fituara. Por më 27 gusht 2025, Supremja e refuzoi revizionin si të pabazuar.

Sa i përket pretendimeve kushtetuese, Podrimqaku pretendon se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.

Ai argumenton se në kohën kur dha dorëheqje ishte në fuqi UA nr. 07/2012, i cili ia njihte të drejtën e ripunësimit pa konkurs, dhe se kjo përbënte një “të drejtë të fituar” që nuk mund të hiqej me ndryshime të mëvonshme ligjore.

Sipas tij, gjykatat kanë vepruar në mënyrë arbitrare duke zbatuar retroaktivisht UA nr. 02/2018, i cili kishte hyrë në fuqi pas dorëheqjes së tij dhe kishte hequr mundësinë e ripunësimit. Ai pretendon se kjo bie ndesh me parimin e sigurisë juridike dhe mbrojtjen e të drejtave të fituara.

Parashtruesi pretendon gjithashtu se është diskriminuar dhe se gjykatat nuk i kanë shqyrtuar seriozisht pretendimet e tij për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë. Duke iu referuar nenit 26 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, ai thekson se interpretimi i gjykatave, sipas të cilit Policia nuk ka obligim ta rikthejë në punë, është arbitrar dhe cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë dhe instrumentet ndërkombëtare.

Sipas Kushtetueses, Gjykata Themelore kishte vlerësuar se dorëheqja e vitit 2017 e Podrimaqkut kishte përfunduar marrëdhënien e punës dhe se ripunësimi ishte vetëm mundësi diskrecionale e Policisë, jo obligim ligjor.

Ndërsa, për Gjykatën e Apelit, Kushtetuesja thotë se  kishte theksuar që ripunësimi sipas UA nr. 07/2012 ishte vetëm “praktikë e mirë”, jo detyrim, dhe se kërkesa e parashtruesit për zgjatje deri në katër vite binte ndesh me afatin e paraparë dyvjeçar.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se gjykatat e rregullta kishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qarta për vendimet e tyre, duke u mbështetur në dispozitat ligjore përkatëse. Për këtë arsye, ajo konstatoi se nuk kishte shkelje të së drejtës për vendim të arsyetuar dhe as të së drejtës për gjykim të drejtë.

Si rezultat, Gjykata arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruesit ishin “qartazi të pabazuara” në aspekt kushtetues dhe e shpalli kërkesën të papranueshme. 

Të Ngjashme