Lajme

“Po na sulmojnë me dezinformata”, Lëvizja e Deçanit del me reagim të ashpër

Lëvizja e Deçanit ka reaguar me një deklaratë publike, duke pretenduar se ndaj saj po zhvillohet një fushatë e organizuar për diskreditim dhe dëmtim të reputacionit të saj.

Në deklaratë, kjo lëvizje thotë se qëndrimet e saj kanë qenë demokratike dhe në përputhje me lirinë e ndërgjegjes e të besimit, duke mohuar se ka nxitur urrejtje apo përçarje.

Lëvizja e Deçanit ka kritikuar edhe disa figura publike, përfshirë gazetarin Berat Buzhala dhe profesorin Ardian Kastrati, duke i akuzuar për përhapje të dezinformatave.

Në fund të deklaratës, paralajmërohet se do të ndërmerren hapa ligjorë ndaj personave apo subjekteve që, sipas tyre, vazhdojnë të përhapin shpifje kundër kësaj lëvizjeje.

“DEKLARATË PUBLIKE

Kohëve të fundit është intensifikuar një fushatë e egër, e organizuar dhe e koordinuar e dezinformimit, e cila ka për objektiv diskreditimin e Lëvizjes së Deçanit dhe dëmtimin e reputacionit të saj në opinionin publik.

Që nga themelimi i saj, Lëvizja e Deçanit i ka qëndruar besnike deklaratës së saj themeluese, të publikuar më 20.10.2023. Ajo deklaratë ishte plotësisht demokratike, e qartë në përmbajtje dhe në përputhje me të drejtën kushtetuese të secilit qytetar për lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit. Në asnjë pjesë të saj nuk ka pasur gjuhë urrejtjeje, fyerje, ofendime apo thirrje për përçarje.

Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë: largimi ynë ishte një akt tërësisht vullnetar nga një religjion, për shkak të bindjes sonë se segmente të caktuara të tij paraqesin rrezik për identitetin kombëtar shqiptar, për trashëgiminë tonë kulturore dhe për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë. Ky qëndrim nuk është ngritur mbi emocione apo paragjykime, por mbi fakte, argumente dhe zhvillime që me kalimin e kohës janë bërë publike, madje edhe përmes deklarimeve të vetë disa misionarëve dhe përfaqësuesve të atij religjioni.

Nga data 20.10.2023 e deri më sot, Lëvizja e Deçanit nuk ka fyer askënd, nuk ka ofenduar askënd dhe nuk ka nxitur urrejtje apo përçarje. Përkundrazi, kemi treguar maturi, përgjegjësi dhe respekt në çdo prononcim publik, duke u përmbajtur nga polemikat e panevojshme.

Megjithatë, është bërë praktikë që çdo incident, deklaratë individuale apo zhvillim që ndodh në cilëndo pjesë të Kosovës t’i faturohet padrejtësisht Lëvizjes së Deçanit, edhe kur nuk ekziston asnjë lidhje me të. Kjo nuk mund të konsiderohet rastësi. Për ne, kjo është pjesë e një fushate të organizuar propagandistike, në të cilën, sipas vlerësimit tonë, janë përfshirë edhe segmente të caktuara të BIK-ut, të cilat vazhdimisht përpiqen ta paraqesin Lëvizjen e Deçanit në një dritë të rreme.

Edhe më shqetësues është fakti se kësaj fushate i janë bashkuar edhe disa figura publike, ndër ta gazetari Berat Buzhala, profesori Ardian Kastrati dhe të tjerë, të cilët, pa u interesuar të marrin informacion nga burimi dhe pa verifikuar faktet, kanë zgjedhur të përhapin të pavërteta dhe dezinformata. Një qasje e tillë bie ndesh me etikën profesionale, me përgjegjësinë publike dhe me parimet bazë të gazetarisë e të debatit demokratik.

Lëvizja e Deçanit u bën thirrje publike të gjithë atyre që kanë zgjedhur rrugën e shpifjes dhe të dezinformimit të ndalojnë menjëherë këtë fushatë. Dyert tona kanë qenë dhe mbeten të hapura për çdo gazetar, analist apo studiues që dëshiron të informohet drejt, me dokumente, fakte dhe argumente.

Njëkohësisht, i bëjmë me dije opinionit publik se e drejta për lirinë e shprehjes nuk përfshin të drejtën për të shpifur, për të manipuluar apo për të dëmtuar qëllimisht reputacionin e askujt. Për këtë arsye, në bashkëpunim me përfaqësuesin tonë ligjor, kemi përgatitur të gjitha veprimet e nevojshme dhe do të ndjekim rrugën gjyqësore ndaj çdo personi apo subjekti që vazhdon të përhapë shpifje dhe dezinformata të qëllimshme kundër Lëvizjes së Deçanit.

Lëvizja e Deçanit nuk do të intimidohet nga propaganda, nuk do të tërhiqet nga bindjet e saj dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të mbrojtur identitetin kombëtar shqiptar, dinjitetin e anëtarëve të saj dhe të vërtetën. Fushatat e organizuara mund të prodhojnë zhurmë, por nuk mund ta ndryshojnë të vërtetën”.

Të Ngjashme