Lajme

“Serbia duhet të japë përgjegjësi”, Qarri me kërkesë të qartë pas mbledhjes së OKB-së

Të martën, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, përfaqësoi Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku paraqiti qëndrimet e vendit për zhvillimet politike dhe të sigurisë, krimet e kryera gjatë luftës dhe raportin e UNMIK-ut.

Lidhur me këtë paraqitje, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se Konjufca e përfaqësoi denjësisht Kosovën, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për përgjegjësinë e Serbisë, të drejtat e viktimave dhe synimin e Kosovës për anëtarësim në OKB.

“Kosova në mbledhjen e fundit të OKB-së, kam bindjen se u përfaqësua në mënyrë të denjë nga Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z.Glauk Konjufca, i cili ia rikujtoi edhe njëherë më tepër, mbarë botës së civilizuar gjenocidin shtetëror dhe krimet e qindra masakra të kryera gjatë luftës nga Serbia ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, paraqiti qëndrimet konstruktive të vendit tonë lidhur me zhvillimet aktuale politike e të sigurisë, si dhe theksoi përparimin e arritur dhe sfidat me të cilat aktualisht përballet shteti i Kosovës, pikërisht edhe shkaku i veprimeve të hapura të Serbisë kundër vendit tonë.

Paraqitja e z. Konjufca në OKB ishte e suksesshme dhe mjaft përmbajtjesore i cili përcolli mesazhe mjaft të forta, të dokumentuara me argumente të vërtetuara e domethënëse në OKB duke rikujtuar me fakte e shifra, para vendeve pjesëmarrëse në tubim edhe njëherë vrasjen e mbi 12 mijë civilëve të pafajshëm, përfshi edhe 1577 persona të zhdukur, 109 prej tyre fëmijë, të cilëve sot e asaj dite u janë zhdukur edhe trupat dhe nuk u dihen më, as gjurmët”, ka thënë ai.

Po ashtu, Qarri  ka vënë theksin edhe te kërkesa për vënien para përgjegjësisë të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, duke përmendur Milan Radoiçiqin dhe Serbinë.

Image
Gani Qarri

Ai ka përmendur edhe kundërshtimin e raportit të UNMIK-ut për Kosovën, të cilin e konsideron të ndikuar nga propaganda serbe, si dhe kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Kosova, konsiderojë se nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme z Konjufca u përfaqësua denjësisht, dhe ai me të drejtë e plotësisht në mënyrë të arsyeshme, kërkoi vendosjen para përgjegjësisë të autorëve si kryeterroristi Millan Radojçiq që nga ajo kohë jeton i lirë në Serbi dhe sponsorizuesit të tyre-Serbisë hegjemoniste, për sulmin terrorist të kryer ndaj Kosovës, të atyre që në fakt provuan një invadim klasik territorial të nxitur nga Serbia, ndaj territorit të Kosovës, duke vrarë edhe policin në detyrë, tani hero z. Afrim Bunjaku.

Z. Konjufca kundërshtoi dhe e konsideroi të papranueshëm edhe raportin e UNMIK-ut për Kosovën, të ndikuar nga propaganda serbe, si dhe parashtroi kërkesën e drejtë që Republika e Kosovës, të pranohet si shtet i pavarur dhe anëtare me të drejta të plota, në familjen e madhe globale të shteteve të pavarura në OKB”, ka potencuar ai.

Tutje, Qarri ka vlerësuar se mesazhet e përcjella në OKB duhet të pasohen me masa konkrete nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht në raport me Serbinë, duke kërkuar kthimin e trupave të shqiptarëve të vrarë dhe të kidnapuar, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Pas mesazheve konkrete që z. Konjufca përcolli para bashkësisë ndërkombëtare, këto do duhej të ishin argumente të mjaftueshme që menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, nga OKB të ndërmerren urgjentisht edhe masa përkatëse dhe të ushtrohet presion direkt ndaj Serbisë për ndryshimin e qasjes ndaj vendit tonë, kthimin e trupave të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar dhe njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, në mënyrë që përfundimisht, të garantohet qëndrueshmëria politike e rajonit dhe të sigurohet paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor e më gjerë.

Faji për ngecjen e Kosovës në planin ndërkombëtar, nuk qëndron vetëm te Serbia por edhe te faktori i brendshëm, shkaku i luftërave partiake, ngërçeve politike e bllokadave institucionale që u zbatuan aktivisht nga opozita e inkriminuar duke e lënë shtetin për gati 2 vite pa institucione legjitime e qeverisje stabile, dhe Kosova nuk arriti ti shfrytëzoj as mundësit potenciale që veçanërisht pas fillimit të okupimit rus të Ukrainës dhe protestave masive studentore që për mese dy vite po zhvillohen vazhdimisht në Serbi, i`u krijuan vendit tonë, për mundjen e Serbisë edhe në politikën e jashtme dhe rrafshin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Në vijim, Qarri ka folur edhe për raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se qëndrimet e Beogradit ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe zhvillimet e brendshme politike kanë ndikuar në ngecjen e procesit të integrimit evropian të këtij vendi.

“Serbia ka kohë që i është kundërvënë publikisht edhe vet BE-së, fillimisht duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve që BE-ja vendosi kundër Rusisë, pastaj me dhënien e shtetësisë oligarkëve të sanksionuar rus nga Ukraina e SHBA, gjë që përfaqësuesit e BE-së e konsiderojnë kërcënim të hapur për migrim të paligjshëm në BE dhe rrezik permanent për sigurinë e Bashkimit Evropian, e më vonë edhe me përkeqësimin e gjendjes së sundimit të ligjit në Serbi, akte të cilat bënë që nga vend-dikur kryesuese në procesin e anëtarësimit në BE, nga dhjetori i vitit 2021, kur hapi kapitullin e fundit, për afro pesë vite Serbia të ngecë edhe në negociatat e anëtarësimit.

Kurse demonstratat që tash e gati dy vite, po zhvillohen pareshtur në Serbi, pritet që pas kaq vitesh qëndrimi në pushtet, për herë të parë ta qojnë Vuçiqin në opozitë, nëse atij nuk i vije në ndihmë edhe kësaj radhe Rusia me metodat e saj destruktive, të cilat mund të jenë vendimtare edhe për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Qarri ka kritikuar partitë opozitare për bllokadat institucionale dhe mungesën e bashkëpunimit me Qeverinë, duke argumentuar se një qasje më e koordinuar do t’i shërbente avancimit të shtetësisë së Kosovës dhe integrimit euroatlantik.

“Këto ishin vetëm disa nga mundësitë e mëdha që rastësia e zhvillimeve ndërkombëtare, tash e mese 5 vite ia DHUROI-Kosovës, për kundërveprim të suksesshëm ndaj Serbisë dhe atyre që nuk ia duan të mirën vendit tonë, sikur partitë politike opozitare të mos e bllokonin çdo nismë e proces pozitiv dhe të tregoheshin më largpamëse e unike, të vendosura e konstrukive në bashkëpunim për veprime konkrete e të koordinuara mirë bashkë me Qeverinë legjitime të vendit, për të mirën e Kosovës, avancimin e shtetndërtimit, rrugëtimin e suksesshëm të inkuadrimit në BE dhe procesin e anëtarësimit të shtetit të Kosovës në NATO.

Sikur të dëshmoheshin në vepër, shembuj të tillë pozitiv dhe të kishte bashkëveprim në unison të politikës vendore, besoj se edhe qëndrimet e shteteve anëtare të OKB-së do të ishin shumë më pozitive ndaj Kosovës, do të vinin njohje të reja dhe anëtarësime në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, deri te përshpejtimi i pranimit me sukses të vendit tonë edhe në OKB, që është dhe mbetet synimi më madhor i popullit dhe shtetit tonë të ri-Republikës së pavarur të Kosovës.

Por kur shohim se si elementë të caktuar destruktiv, në vend të bashkëveprimit ndërpartiak dhe koordinimit mbarëshqiptar për të mirën e shtetit të Kosovës, vetëm pak ditë pas votimit të ligjit për Gjykatën Speciale dhe zgjedhjen e Presidentes me shumicën dërmuese të votave të deputetëve, papritur kërkojnë serish rikthimin e të njëjtit ligj në Kuvend dhe kërcënojnë me organizimin e trazirave, për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, njerëz që për vite në “kazanë” e tyre bashkëjetuan vëllazërisht me komunën paralele serbe, ndërsa Kosovën, fatkeqësisht duan ta shohin, përsëri në luftë e flakë, sikur ringjallet serish frika, për të papritura të reja, nga duart e zgjatura të Serbisë, të cilat po dëshmohet se vazhdojnë të mbeten ende edhe sot aktive në Kosovë dhe mjerisht, në çdo moment janë të gatshme të hidhen në sulm kundër sigurisë së shtetit, qetësisë sociale dhe prosperitetit e të ardhmes më të mirë të vendit tonë!”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Të Ngjashme