Lajme

Përplasje qëndrimesh në PDK për Ligjin e Speciales? Gruda del kundër partisë së tij

Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, e ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Pas këtij zhvillimi, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke mbrojtur ligjin që, sipas tij, është hartuar me kujdes dhe pas konsultimeve të nevojshme.

Gruda ka deklaruar se qëndron plotësisht prapa përmbajtjes së ligjit, duke theksuar se nuk sheh asnjë gabim në të.

“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj”, ka shkruar ai.

Postim i plotë:

Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet.

Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij.

Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij.

Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj.

Për të tjerat, këtu do të jemi dhe do të flasim.

Të Ngjashme