Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar ministrin irlandez për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, si dhe për kontributin në sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-it.
Kreu i Qeverisë theksoi se mbi 3,000 pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999.
Gjithashtu, ai rikujtoi se, gjatë luftës në Kosovë, mbi 1,000 refugjatë shqiptarë kishin gjetur strehim në Irlandë.
Postim i plotë:
Në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, u takova me Thomas Byrne, Ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen.
E falënderova për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe për kontributin e Irlandës në sigurinë tonë përmes KFOR-it. Mbi 3,000 pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, ndërkaq paraprakisht mbi 1,000 refugjatë shqiptarë nga lufta e Kosovës gjetën strehim në Irlandë.
Me partnerët tanë vazhdojmë të punojmë që progresi demokratik dhe përkushtimi evropian i Kosovës të përkthehen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, biseduam për avancimin e nevojshëm të Kosovës në këtë rrugë. Muaji nëntor është i rëndësishëm dhe presim që Raporti i Komisionit Evropian të pasqyrojë progresin e arritur dhe që ky progres të marrë formë konkrete përmes marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian.
