Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, do të raportojnë sot para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, lidhur me auditimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Mbledhja e komisionit është paraparë të fillojë në orën 14:00, ndërsa në fokus të diskutimeve do të jetë Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Gjatë kësaj mbledhjeje pritet të shqyrtohen çështjet që lidhen me menaxhimin e financave publike, zbatimin e buxhetit dhe respektimin e procedurave ligjore e financiare nga institucionet përgjegjëse.
Raporti i auditimit përbën një dokument të rëndësishëm për vlerësimin e mënyrës së administrimit dhe shpenzimit të parasë publike, duke ofruar një pasqyrë të menaxhimit financiar të institucioneve gjatë vitit përkatës.
Në kuadër të raportimit, deputetët anëtarë të komisionit do të kenë mundësi të kërkojnë sqarime nga ministri Murati dhe Auditorja e Përgjithshme Spanca lidhur me çështjet e trajtuara në raport, si dhe me masat për adresimin e rekomandimeve të auditimit.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka rol të rëndësishëm në kontrollin parlamentar të shpenzimit të mjeteve buxhetore dhe në kërkimin e llogaridhënies nga institucionet publike.
