Nebi Alshiqi, zyrtar i Kadastrës në Komunën e Prishtinës, është personi i arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, ku ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se arrestimi është realizuar pas hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari, i identifikuar zyrtarisht me inicialet N.A., dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer tri vepra penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
Hetimet fillestare kanë ngritur dyshime se informata zyrtare lidhur me prona të caktuara u janë zbuluar personave të paautorizuar në këmbim të ryshfetit.
Sipas organit të akuzës, këto veprime dyshohet se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave besohet të jetë shumë e madhe.
Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive të mundshme penale.
Identiteti i të arrestuarit është raportuar nga media, ndërsa Prokuroria në komunikatën zyrtare ka publikuar vetëm inicialet e tij.
I dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
