Lajme

Rama nga Luksemburgu: Shqipëria mbyll sot një tjetër kapitull në negociatat me BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Luksemburgu se Shqipëria do të mbyllë sot një tjetër kapitull në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Në një deklaratë për mediat, Rama është shprehur optimist për ecurinë e procesit të integrimit evropian, duke theksuar se synimi i qeverisë shqiptare është që gjatë këtij viti të përmbyllen sa më shumë kapituj negociues.

“Jemi kthyer për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar se përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë, sapo kam zhvilluar disa takime inkurajuese për atë që vjen më pas. Planet janë ambicioze brenda këtij viti”, ka deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se pala shqiptare synon të përmbushë të gjitha afatet e përcaktuara në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Synojmë të mbyllim edhe më shumë kapituj dhe jam absolutisht i bindur se, sa i takon palës sonë, do të jemi në çdo hap plotësisht në përputhje me afatet”, është shprehur ai.

Rama ka bërë të ditur se me kapitullin që pritet të mbyllet sot, numri i kapitujve të përmbyllur do të arrijë në katër. Ai ka paralajmëruar se synimi është që gjatë këtij viti të bëhet përparim edhe në kapitujt e tjerë, pa dhënë një shifër të saktë.

“Nuk do të thosha shifrën se sa kapituj do të mbyllen, por sot do të mbyllim edhe një kapitull tjetër, që bëhen katër gjithsej. Kanë mbetur të paktën edhe dyfish më shumë, që pritet të jetë shifra, të paktën për këtë vit, por le të shohim”, ka përfunduar Rama.

Shqipëria po vijon procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa përmbyllja e kapitujve negociues përbën një nga hapat kryesorë drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Të Ngjashme